BallinaAtdheuKuvendi miraton në lexim të parë ndryshimin e Ligjit për Specialen, LDK-ja...

Kuvendi miraton në lexim të parë ndryshimin e Ligjit për Specialen, LDK-ja nuk merr pjesë në votim

-

Prishtinë, 5 tetor 2026 – Kuvendi i Kosovës ka miratuar të hënën, në lexim të parë, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Projektligji mori 91 vota për, ndërsa Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) nuk mori pjesë në votim.

Seanca e jashtëzakonshme plenare nisi në orën 09:00 dhe pika e parë e rendit të ditës ishte pikërisht shqyrtimi i ndryshimeve në ligjin që rregullon funksionimin e Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm deputetë nga shumica e grupeve parlamentare, ndërsa munguan deputetët e Listës Serbe. Në seancë nuk mori pjesë as deputeti i partisë së ministrit Nenad Rashiq.

PDK: Të mundësohet hetimi i krimeve të luftës në Kosovë

Duke prezantuar propozimin, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, tha se ndryshimet synojnë ndërhyrjen në një pjesë të juridiksionit të Dhomave të Specializuara, me qëllim që të mundësohet hetimi i krimeve të luftës të kryera në Kosovë.

Sipas tij, ndryshimi i ligjit lidhet me nevojën që institucionet e Kosovës të kenë hapësirë më të madhe për trajtimin e rasteve që lidhen me krimet e luftës.

Ndërkohë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, tha se çështja e Gjykatës Speciale duhej të ishte zgjidhur që në vitin 2015. Ajo rikujtoi se LVV-ja kishte qenë kundër themelimit të saj dhe se ky qëndrim, sipas saj, vazhdon edhe sot.

LDK-ja nuk merr pjesë në votim

Deputetët e LDK-së nuk morën pjesë në votimin për shmangien e procedurave të rregullta për shqyrtimin dhe miratimin e Projektligjit.

Qëndrimi i LDK-së u shfaq edhe gjatë votimit të projektligjit në lexim të parë, ku deputetët e këtij grupi parlamentar nuk morën pjesë.

Ndërkohë, pak para nisjes së seancës plenare, Komisioni për Legjislacion e kishte miratuar unanimisht Projektligjin. Për të votuan nëntë anëtarë të komisionit, pa asnjë votë kundër dhe pa abstenime.

Haradinaj: Vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së, ofendim për Kosovën

Në debat u përfshi edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Haradinaj e cilësoi vendimin dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “ofendim” për popullin e Kosovës dhe institucionet e vendit.

Ai tha se Kosova nuk duhet të ndihet në faj për miratimin e projektligjit dhe kërkoi që Kuvendi ta procedojë dhe miratojë atë në dy lexime brenda së njëjtës ditë.

22 pika në rendin e ditës

Përveç ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kuvendi ka në rend dite edhe një numër të madh çështjesh të tjera.

Ndër pikat kryesore janë ratifikimi i Marrëveshjes së Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim për Projektin e Lojërave Mesdhetare XXI në Kosovë, si dhe ndryshimet e marrëveshjeve financiare ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për programet IPA.

Deputetët pritet të shqyrtojnë gjithashtu zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, kryesuesit të këtij bordi, Auditorit të Përgjithshëm dhe anëtarëve joekzekutivë të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.

Në rend dite janë edhe projektligjet që lidhen me Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, parandalimin e pastrimit të parave, sistemin gjyqësor dhe prokurorial, energjinë, inovacionin, buxhetin dhe menaxhimin e resurseve ujore.

Miratimi në lexim të parë i ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara hap tani rrugën për shqyrtimin e mëtejshëm parlamentar të këtij projektligji, ndërsa debati rreth kompetencave dhe funksionimit të Speciales pritet të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme të procedurës legjislative, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Nis viti i ri akademik, rreth 20 mijë studentë ulen sot...

0
Tiranë – Universitetet shqiptare hapin sot dyert për vitin e ri akademik, me rreth 20 mijë studentë të rinj që pritet të ulen për herë të parë...