BallinaArsimiLORIS QOSE SHKËLQEN NË ARENËN NDËRKOMBËTARE, FITON MEDALJEN E ARTË NË ASEF...

LORIS QOSE SHKËLQEN NË ARENËN NDËRKOMBËTARE, FITON MEDALJEN E ARTË NË ASEF 2026

-

CËRRIK – Një tjetër sukses i jashtëzakonshëm për nxënësin shqiptar Loris Qose nga Cërriku, i cili vazhdon të dëshmojë talentin, përkushtimin dhe potencialin e tij në fushën e dijes dhe kërkimit shkencor. Këtë herë, ai ka rrëmbyer medaljen e artë në kompeticionin ndërkombëtar ASEF 2026, në kategorinë Histori–Gjeografi, duke e çuar në 12 numrin e medaljeve të fituara gjatë rrugëtimit të tij akademik. Loris Qose është nderuar me çmimin Gold Award për projektin kërkimor me titull “Harmonia e Kozmosit: Arkitektura Hapësinore dhe Mekanika Orbitale e Sistemit tonë Diellor”. Një projekt që dëshmon interesimin e tij për shkencën, eksplorimin e universit dhe ndërthurjen e njohurive në fusha të ndryshme akademike.

Kjo arritje përbën një tjetër dëshmi se puna e vazhdueshme, kureshtja shkencore dhe përkushtimi ndaj mësimit mund të sjellin rezultate të shkëlqyera edhe në konkurrimet ndërkombëtare, ku talentet e reja prezantojnë aftësitë dhe njohuritë e tyre përballë bashkëmoshatarëve nga vende të ndryshme të botës.

Pas marrjes së çmimit, Loris ka ndarë emocionet dhe kënaqësinë e tij për këtë sukses, duke shprehur mirënjohje të veçantë për mbikëqyrësen e projektit, Denada Canaj, si dhe për akademikët Mimoza Hafizi dhe Elisabeta Peti, për mbështetjen, këshillat dhe orientimin shkencor. Falënderime të veçanta ka rezervuar edhe për mësuesen e matematikës, Flutura Hoxholli, për kontributin dhe përkrahjen gjatë rrugëtimit të tij arsimor.

Ky nuk është suksesi i parë ndërkombëtar i nxënësit nga Cërriku. Loris Qose, i cili vijon studimet në shkollën “7 Marsi”, ka shënuar më herët rezultate të rëndësishme edhe në olimpiadën ndërkombëtare “Neo Science Olympiad”, të zhvilluar në Orlando të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku është shpallur fitues i vendit të parë në Matematikë dhe vendit të tretë në Kimi.

Medalja e 12-të, kësaj radhe e artë, është një tjetër gur themeli në karrierën e tij të re, duke dëshmuar se Loris po ndërton një profil premtues në botën e dijes dhe të shkencës.

Arritjet e tij janë jo vetëm një krenari për familjen dhe shkollën “7 Marsi”, por edhe për qytetin e Cërrikut dhe mbarë Shqipërinë. Suksese të tilla tregojnë se vendi ynë ka të rinj të talentuar, të cilët me punë, përkushtim dhe mbështetjen e duhur mund të përfaqësojnë denjësisht Shqipërinë në skenat më të rëndësishme ndërkombëtare. Loris Qose është shembull frymëzues se investimi në dije, arsim dhe kërkim shkencor është investim në të ardhmen, transmeton euronewsal.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

“Beteja e Lumës” – Nëntor 1912

0
Nga Ambasador Flamur Gashi 114 vjet nga një fitore e madhe shqiptare, që historia nuk e nderoi sa duhej! Në historinë e përpjekjeve shekullore të shqiptarëve...