BallinaAtdheuKurti mbështet ndryshimin e Ligjit për Specialen: “Duhet kujdes, beteja fitohet në...

Kurti mbështet ndryshimin e Ligjit për Specialen: “Duhet kujdes, beteja fitohet në Apel”

-

Prishtinë, 5 tetor 2026 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se çështja e ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar duhet të trajtohet me kujdes dhe jo me nxitim, por konfirmoi se Qeveria dhe Lëvizja Vetëvendosje do t’i japin mbështetje nismës për ndryshimin e tij.

Duke folur në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po shqyrtohet në lexim të parë Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, Kurti tha se koha në dispozicion për analizimin e projektligjit ka qenë e pamjaftueshme.

Sipas tij, ndryshimet e propozuara janë të ngutshme, veçanërisht për faktin se aktgjykimi i plotë në rastet që po gjykohen në Hagë ende nuk është publikuar.

“Ne konsiderojmë se këto lëvizje për ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale janë të ngutshme dhe nuk janë analizuar e menduar sa duhet”, tha Kurti.

Megjithatë, kryeministri theksoi se, pavarësisht rezervave, LVV-ja nuk do ta pengojë procedimin e projektligjit.

Ai rikujtoi se Lëvizja Vetëvendosje kishte kundërshtuar themelimin e Dhomave të Specializuara që nga fillimi, por tha se sot po e mbështet nismën e ndryshimit të ligjit.

“Ne e kemi kundërshtuar Gjykatën Speciale që në fillim, por atëherë nuk e kishim mbështetjen tuaj, ndërsa ne po ju mbështesim sot”, deklaroi Kurti.

Kurti: Nuk jemi të bindur për dobishmërinë e ligjit

Kryeministri tha se nuk është plotësisht i bindur se ndryshimet e propozuara do të sjellin rezultatin e synuar, por theksoi se do t’i respektojë vullnetin dhe iniciativën e deputetëve.

“Ne nuk jemi të bindur për dobinë e këtij ligji. E dimë që ju besoni në të dhe ne duam të besojmë besimin tuaj”, tha ai.

Kurti paralajmëroi gjithashtu se çdo ndryshim ligjor duhet të vlerësohet edhe për pasojat që mund të prodhojë.

Sipas tij, përpjekja për të korrigjuar një padrejtësi nuk duhet të çojë në krijimin e një problemi tjetër.

“Nuk mjafton vetëm të reagojmë ndaj një padrejtësie, por duhet të sigurohemi që duke tentuar ta korrigjojmë një gabim, të mos e prodhojmë një tjetër”, u shpreh kryeministri.

“Adresa e fitores është Apeli”

Një pjesë të rëndësishme të fjalimit të tij Kurti ia kushtoi procesit gjyqësor në Hagë, duke argumentuar se beteja juridike duhet të zhvillohet përmes një strategjie të përbashkët shtetërore dhe kombëtare.

“Adresa e fitores është Apeli. Aty dilet triumfues. E për fitore nevojitet organizim dhe strategji”, tha Kurti.

Ai theksoi se kjo strategji nuk duhet të jetë partiake apo e kufizuar vetëm në organizata joqeveritare, por duhet të udhëhiqet në nivel shtetëror.

Sipas tij, miratimi i projektligjit duhet të shërbejë si pikënisje për hartimin e një strategjie të përbashkët për proceset në Hagë.

Kurti bëri thirrje që institucionet e Kosovës të bashkohen rreth kësaj çështjeje dhe të veprojnë me një qasje të koordinuar.

“Duhet ligj për Hagën, por duhet edhe President për Kosovën”

Në fjalimin e tij, kryeministri e lidhi çështjen e Hagës edhe me funksionalitetin institucional të Kosovës.

“Duhet ligj për gjykatën në Hagë, por duhet edhe President për Kosovën. Njëra pa tjetrën mund të jetë shumë e dëmshme”, tha ai.

Kurti paralajmëroi se një strategji serioze për proceset në Hagë kërkon institucione funksionale dhe stabilitet politik.

Sipas tij, Kosova ka nevojë për një President që garanton vazhdimësinë kushtetuese dhe për një qeverisje stabile, në mënyrë që interesat e vendit të mbrohen në mënyrë efektive.

Ai tha se mbështetja për projektligjin mund të jetë vetëm hapi i parë drejt një strategjie më të gjerë shtetërore.

Kurti: Lufta e UÇK-së ishte çlirimtare

Në pjesën tjetër të fjalimit, Kurti foli për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe historinë e konfliktit Kosovë-Serbi.

Ai e cilësoi luftën e UÇK-së si luftë çlirimtare dhe antikolonialiste, duke e përshkruar atë si një kapitull të rëndësishëm të historisë së Kosovës.

Kurti deklaroi se UÇK-ja ishte, sipas tij, shprehja më e lartë politiko-ushtarake e rezistencës shqiptare dhe e lidhi luftën e viteve 1998-1999 me atë që ai e cilësoi si gjenocid të kryer nga Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Ai theksoi se për UÇK-në nuk mund të ketë gjykim si të tillë, duke mbrojtur karakterin çlirimtar të luftës së saj.

Thirrje për bashkëpunim politik

Në përfundim të fjalimit, Kurti falënderoi kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamzën, për takimet e zhvilluara, të cilat i cilësoi si konstruktive.

Kryeministri bëri thirrje për vazhdimin e dialogut ndërmjet subjekteve politike dhe për bashkëpunim institucional.

“Duhet të takohemi, duhet të merremi vesh, duhet të ecim përpara të gjithë bashkë”, tha Kurti. Fjalimi i kryeministrit vjen në një moment kur Kuvendi po shqyrton ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa debati politik dhe juridik rreth rolit, kompetencave dhe funksionimit të Speciales pritet të vazhdojë edhe në fazat e ardhshme të procedurës parlamentare, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kuqezinjtë rikthehen në stërvitje, ndryshime në listën e Kombëtares para San...

0
Kuqezinjtë rikthehen në stërvitje, ndryshime në listën e Kombëtares para San Marinos Tiranë – Kombëtarja shqiptare është rikthyer në fushën e stërvitjes pas ndeshjes së zhvilluar...