Prishtinë, 4 shtator 2026 – Biblioteka Kombëtare e Kosovës “Pjetër Bogdani” ka nisur zbatimin e projektit “Data-Driven Decisions at the National Library of Kosovo”, i cili synon forcimin e kapaciteteve të stafit për përdorimin e të dhënave në raportim, planifikim dhe proceset vendimmarrëse.
Me rastin e fillimit të projektit, Drejtoresha e Përgjithshme e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, Blerina Rogova Gaxha, është takuar me Specialistin e Programit Fulbright nga Illinois State University, Dallas Long, i cili do të angazhohet në zhvillimin e këtij projekti.
Projekti do të zhvillohet nga 1 deri më 18 shtator 2026 dhe në fokus do të ketë rritjen e aftësive profesionale të stafit të Bibliotekës në mbledhjen, analizimin dhe përdorimin e të dhënave.
Sipas Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, njohuritë dhe praktikat e fituara përmes këtij projekti pritet të ndihmojnë në përmirësimin e mënyrës së raportimit, planifikimit institucional dhe matjes së performancës, duke krijuar një bazë më të qëndrueshme për vendimmarrje të informuar. Projekti realizohet në kuadër të Programit Fulbright Specialist dhe financohet bashkërisht nga Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Qeveria e Kosovës. Koordinimi i programit bëhet nga USKEB. Nisma përfaqëson një tjetër hap në drejtim të zhvillimit profesional dhe institucional të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, me theks të veçantë në përdorimin e të dhënave si një mjet për menaxhim më efikas dhe planifikim më të mirë të veprimtarisë së institucionit, transmeton rtk.










