POSTIMET E FUNDIT

Në Torino të Italisë promovohet libri “Confessioni” i Dr. sc. Vehbi Miftarit

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Siç njofton helveticALForum.ch, në kuadër të Salone Internazionale del Libro, më 17 maj në Torino u promovua libri më i ri “Confessioni” (“Rrëfime”) i ish-ambasadorit të Republikës së Kosovës në Vatikan, Dr. sc. Vehbi Miftari, Doktor shkence, poet e studiues i letërsisë. Autor i mbi njëzet librave. Njohës i pesë gjuhëve. Vepra është botuar nga Morrone Editore dhe u mirëprit nga shumë personalitete të jetës politike, diplomatike dhe kulturore shqiptare e italiane.

Në ceremoninë promovuese morën pjesë senatori italian Giorgio Merlo, historiani dhe shkrimtari Riccardo Rossotto, si dhe drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, znj. Majlinda Toçi, të cilët vlerësuan librin dhe rolin e kulturës në forcimin e urave të bashkëpunimit mes popullit shqiptar dhe atij italian. Një vlerësim të veçantë për autorin dha edhe ish-Presidenti i Shqipërisë, Shkëlqesia e Tij, z.Bamir Topi, i cili theksoi kontributin e Vehbi Miftarit në diplomaci, kulturë dhe përfaqësimin dinjitoz të shqiptarëve në arenën ndërkombëtare.

Gjatë detyrës së tij si shefi i parë i Misionit të Republikës së Kosovës në Vatikan, Dr. Vehbi Miftari zhvilloi takime me shumë personalitete të njohura të diplomacisë, kulturës dhe institucioneve fetare ndërkombëtare, duke përfaqësuar shtetin e Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme. Përgjatë angazhimit të tij diplomatik, ai nuk u ndal vetëm në promovimin e kulturës dhe identitetit shqiptar, por vazhdoi fuqishëm edhe lobimin për njohjen ndërkombëtare të Kosovës, jo vetëm nga Vatikani, por edhe nga shtete të tjera të botës. Z. Miftari njihet ndër vite edhe për shkrimet dhe angazhimet e tij publike në mbështetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, për thirrjet e vazhdueshme për njohje të reja ndërkombëtare, si dhe për mbështetjen e fuqishme të integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike, përfshirë Bashkimi Evropian dhe NATO.

Autori falënderoi gjithashtu redaktorin Giovanni Firera për kontributin e vazhdueshëm në promovimin e kulturës shqiptare në rajonin e Piemontes dhe në të gjithë Italinë, si dhe për organizimin e aktiviteteve të shumta letrare në Sallonin Ndërkombëtar të Librit në Torino. Një falënderim i posaçëm iu drejtua edhe përkthyeses Maria Antonietta Rimoli për përkthimin në italisht të poezive të autorit.

Promovimi i librit “Confessioni” konsiderohet si një tjetër sukses i rëndësishëm kulturor dhe diplomatik shqiptar në Itali dhe më gjerë, ndërsa pritet që vepra të gjejë jehonë pozitive tek lexuesit shqiptarë dhe ndërkombëtarë.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB