Cyrih – Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih siç mëson helveticALforum.ch organizon më 11 shtator promovimin e romanit “Zemrat pas Maleve”, të autorit Blerim Ramadani, një vepër letrare e frymëzuar nga një ngjarje e vërtetë e Luftës së Dytë Botërore. Romani rikthen në vëmendje një histori të vitit 1944, kur dy aviatorë amerikanë, pas rrëzimit të një bombarduesi B-24 Liberator në malet e Bistrës, u strehuan dhe u mbrojtën nga shqiptarët e zonës. Në një periudhë të shënuar nga lufta, pasiguria dhe rreziku, banorët vendas vendosën t’u ofrojnë mbrojtje aviatorëve, duke rrezikuar jo vetëm jetën e tyre, por edhe sigurinë e familjeve.
Në qendër të kësaj historie qëndron Besa, një prej vlerave më të njohura të traditës shqiptare, e cila në roman shfaqet si simbol i humanizmit, besnikërisë dhe gatishmërisë për të mbrojtur tjetrin edhe në rrethanat më të vështira.
Përmes këtij rrëfimi, autori Blerim Ramadani ndërthur ngjarjen historike me dimensionin njerëzor dhe letrar, duke sjellë një histori që tejkalon kufijtë e një episodi të luftës. “Zemrat pas Maleve” hap një dritare drejt një periudhe të rëndësishme historike dhe njëkohësisht ngre pyetje mbi kujtesën, sakrificën, solidaritetin dhe vlerat njerëzore në kohë krizash.
Promovimi në Cyrih do të jetë gjithashtu një mundësi për bashkëbisedim me autorin mbi procesin e krijimit të veprës, raportin mes letërsisë dhe historisë, rëndësinë e kujtesës kolektive, si dhe ndërthurjen e kërkimit historik me rrëfimin letrar.
Përmes kësaj vepre, një histori e mbetur në kujtesën e një kohe të trazuar rikthehet në vëmendjen e lexuesit të sotëm, duke dëshmuar se aktet e humanizmit dhe solidaritetit mund të mbijetojnë përtej kohës dhe kufijve.
Promovimi i romanit
- Data: 11 shtator 2026
- Ora: 19:00
- Vendi: Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Cyrih
- Adresa: Eugen-Huber-Strasse 19A, 8048 Zürich
- Konfirmimi i pjesëmarrjes: blerta.nuhiu@rks-gov.net
Ngjarja fton lexuesit, dashamirësit e letërsisë dhe të historisë, si dhe komunitetin shqiptar në Zvicër, të bëhen pjesë e një mbrëmjeje kushtuar një historie ku Besa, njerëzimi dhe guximi për të mbrojtur tjetrin zënë vendin qendror, njofton Konsullata e Përgjitshme e Kosovës në Cyrih, përcjell helveticALforum.ch.










