Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka zhvilluar tri takime në Romë me përfaqësues të Senatit, Gjykatës së Kasacionit dhe Dhomës së Deputetëve të Italisë. Në fokus të diskutimeve ishin kthimi i pasurive të konfiskuara nga krimi në shërbim të komunitetit, digjitalizimi i vendimeve gjyqësore dhe përshpejtimi i proceseve të drejtësisë. Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka zhvilluar tri takime zyrtare në Romë, në kuadër të përpjekjeve për të forcuar bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Italisë në fushën e drejtësisë. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Gogu ka ndarë detaje nga takimet me kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes në Senatin italian, Maurizio Gasparri, bashkëpresidentin e Gjykatës së Kasacionit, Stefano Mogini, si dhe kryetarin e Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Deputetëve, Ciro Maschio. Takimi i parë u zhvillua në Senatin italian me Maurizio Gasparri, të cilin ministri Gogu e falënderoi për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Strategjik mes dy vendeve. Në qendër të bisedës ishte edhe përvoja italiane në administrimin dhe kthimin e pasurive të konfiskuara nga krimi në shërbim të komunitetit.
“Në Senatin italian, me Kryetarin e Komisionit të Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes Maurizio Gasparri, të cilin e falënderova për ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit Strategjik, folëm për eksperiencën në kthimin e pasurive të konfiskuara nga krimi në shërbim të komunitetit”, shkruan Gogu.
Një tjetër takim u zhvillua me Stefano Moginin, bashkëpresidentin e Gjykatës së Kasacionit, ku diskutimet u përqendruan te njësimi i praktikës gjyqësore dhe digjitalizimi i vendimeve. Ministri theksoi se ky proces është në kompetencën e vetë institucioneve gjyqësore, ndërsa Ministria e Drejtësisë është e gatshme të mbështesë bashkëpunimin.
“Me Stefano Mogini, bashkëpresidentin e Gjykatës së Kasacionit, për njësimin e praktikës gjyqësore dhe digjitalizimin e vendimeve. Një proces bashkëpunimi që e përcaktojnë vetë gjykatat dhe që Ministria e mbështet”, bëri të ditur ministri. Takimin e tretë Gogu e zhvilloi me Ciro Maschio, kryetarin e Komisionit të Drejtësisë në Dhomën e Deputetëve të Italisë. Në këtë takim u diskutua për reformat që synojnë shkurtimin e proceseve gjyqësore, uljen e kostove dhe përmirësimin e aksesit të qytetarëve në drejtësi.
“Ndërsa me Ciro Maschio, Kryetarin e Komisionit të Drejtësisë të Dhomës së Deputetëve, diskutuam për reformat që jo vetëm shkurtojnë proceset gjyqësore, por e bëjnë drejtësinë më pak të kushtueshme dhe më të shpejtë për qytetarët”, shkruan Gogu. Në përfundim të postimit të tij, ministri i Drejtësisë vlerësoi rëndësinë e përvojës italiane për proceset reformuese në Shqipëri, duke theksuar se shkëmbimi i eksperiencave duhet të përkthehet në rezultate konkrete për qytetarët. “Përvoja italiane është e vlefshme për t’i kthyer këto diskutime në zgjidhje konkrete edhe në Shqipëri”, tha ministri, transmeton rtsh.










