Në vijim të turit të takimeve të zhvilluara në Hagë, Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari u prit nga Presidenti i Eurojust, Michael Schmid, me të cilin diskutoi mbi forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në luftën kundër krimeve ndërkufitare.
Në bisedën e zhvilluar u vunë në dukje rezultatet konkrete të arritura deri më sot, falë partneritetit të Shqipërisë me Eurojust, sidomos ato që kanë të bëjnë me trafikun e narkotikëve, pastrimin e parave dhe mashtrimet online.
Ministri Lamallari u shpreh se “Shqipëria dhe Eurojust kanë ndërtuar një partneritet të qëndrueshëm që po jep rezultate konkrete në hetimin e veprave penale komplekse, trafikut të drogës, pastrimit të parave dhe mashtrimeve online. Vlerësova mbështetjen e Eurojust për institucionet shqiptare dhe rolin e rëndësishëm që po luan Prokurori Ndërlidhës në forcimin e bashkëpunimit gjyqësor me vendet e BE.”
Duke theksuar rëndësinë e këtij bashkëpunimi me strukturat europiane të zbatimit të ligjit, ministri Lamallari nënvizoi se “do të vijojmë të jemi një partner i besueshëm në përpjekjet e përbashkëta për siguri, drejtësi dhe sundim të ligjit. Mbështetja jonë për institucionet e drejtësisë mbetet thelbësore në rrugën drejt standardeve evropiane”, transmeton rtsh.




