Ministrja në detyrë e Drejtësisë dhe bashkëkryetarja e Partisë Guxo, Donika Gërvalla, në një paraqitje të fundit mediatike ka folur për mundësinë e koalicioneve qeverisëse pas zgjedhjeve. Fillimisht, Gërvalla kritikoi PDK-në, duke thënë se kjo parti ende përfaqëson një pjesë të politikës që, sipas saj, mban përgjegjësi për nivelin e lartë të krimit dhe korrupsionit në vend. Ajo theksoi se Partia Guxo nuk ka asgjë të përbashkët me PDK-në, transmeton “Bota sot”.
“Partia Demokratike e Kosovës ende përfaqëson atë pjesë të politikës e cila është përgjegjëse për një dozë të jashtëzakonshme të krimit dhe korrupsionit që ka sunduar vendin tonë. Prandaj, sidomos me PDK-në, Partia Guxo nuk ka as edhe një gjë të përbashkët”, u shpreh ajo.
E pyetur për një koalicion të mundshëm qeverisës me PDK-në, Gërvalla u shpreh kategorikisht kundër. Madje, ministrja foli edhe për lidershipin e kësaj partie, duke thënë se aty ka disa qendra vendimmarrjeje, gjë që, sipas saj, e vështirëson bashkëpunimin.
“Me PDK-në? Për të luftuar krimin dhe korrupsionin, jo.
Cili është lidershipi i PDK-së? A mund t’ia vini gishtin njërit? Sa kryetarë ka PDK-ja?
Formalisht ka një kryetar, por praktikisht ka disa kryetarë.
Nuk mund të luftohet krimi dhe korrupsioni, nuk mund të çohet vendi përpara me PDK-në në gjendjen në të cilën është sot. Nuk po flas për një kohë të ardhshme, kur mund të ketë ndodhur një reformim i brendshëm, por për momentin absolutisht jo”, deklaroi mes tjerash Gërvalla./BS




