POSTIMET E FUNDIT

Emmen/Zvicër mirëpret edicionin e katërt të manifestimit “Gjurmëve të Rrënjëve Tona”

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Më 27 qershor 2026, në ora 19:30, në ambientet e Centro Papa Giovanni në Emmen, do të mbahet edicioni i katërt i manifestimit kulturor e shpirtëror “Gjurmëve të Rrënjëve Tona”, me temën qendrore “Identiteti shqiptar në mërgatë: mes rrënjëve dhe integrimit”. Ky aktivitet, i organizuar nga Misioni Katolik Shqiptar në Luzern në bashkëpunim me Shoqatën Humanitare “Nënë Tereza” në Zvicër, synon të sjellë në qendër të vëmendjes rëndësinë e ruajtjes së identitetit kombëtar, gjuhës, kulturës dhe besimit në jetën e shqiptarëve që jetojnë në diasporë. Programi do të pasurohet me pika të shumta artistike, muzikore dhe tematike. Hapjen e manifestimit do ta bëjë udhëheqësi i Misionit Katolik Shqiptar në Luzern, Dr. Don Anton Uka, ndërsa të pranishmit do t’i përshëndesë edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Sh.T. Mentor Latifi.

Pjesa qendrore e aktivitetit do të përfshijë kumtesën e Prof. Dr. Vehbi Miftarit, Ambasador i Republikës së Kosovës në Vatikan, me temën “Identiteti shqiptar në mërgatë: mes rrënjëve dhe integrimit”. Ndërkaq, trajtimi i dytë tematik do të mbahet nga Mag. iur. Ermina Lekaj Përlaskaj, këshilltare e MPJ-së së Kroacisë, e cila do të flasë për “Rolin e femrës shqiptare në mërgatë për ruajtjen e identitetit”. Manifestimi do të shoqërohet me interpretime muzikore nga Shpejtim Krasniqi, Afërdita dhe Shpejtim Krasniqi, si dhe nga Ejona Bytyqi dhe Elion Krasniqi, të cilët do të paraqiten së bashku me fëmijët e Misionit. Një moment i veçantë artistik do të jetë paraqitja e aktorit Xhevat Limani, ndërsa programi do të pasurohet edhe nga Ansambli Shqiponja Luzern. Në kuadër të mbrëmjes do të promovohet edhe libri “Misioni ynë për Atme e Fe” i Prof. Musa Jupollit, kryetar i Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë. Në fund të programit do të ndahen mirënjohje për kontribuues të dalluar, ndërsa mbrëmja do të përmbyllet me interpretim të këngëve shqiptare dhe prezantim të pikturave. Organizatorët ftojnë bashkatdhetarët, dashamirët e kulturës shqiptare dhe të gjithë të interesuarit që të marrin pjesë në këtë ngjarje të rëndësishme, e cila synon të forcojë lidhjen me rrënjët kombëtare dhe të nxisë dialogun mbi sfidat dhe mundësitë e integrimit në shoqëritë ku jetojnë shqiptarët e mërgatës.

Data: E shtunë, 27 qershor 2026
Ora: 19:30
Vendi: Centro Papa Giovanni, Seetalstrasse 16, 6020 Emmen, Zvicër.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB