BallinaKulturaMbretëresha Teuta vendoset në Shëngjin

Mbretëresha Teuta vendoset në Shëngjin

-

Një shtatore rreth 9 metra e lartë e Mbretëreshës Teuta është vendosur në ballkonin panoramik të Shëngjinit, duke i dhënë një tjetër dimension zonës së Ranës së Hedhun, përgjatë aksit rrugor Shëngjin–Velipojë.

Vepra monumentale është iniciuar nga gazetari Marin Mema, realizuar nga skulptori Julian Muçollari dhe financuar nga shqiptarë në diasporë.

Zbulimi i saj u shoqërua me një ceremoni ku morën pjesë autoritete vendore, historianë, studiues dhe qytetarë të shumtë.

Në fjalët e tyre, pjesëmarrësit vlerësuan simbolikën historike të figurës së Mbretëreshës Teuta, ndërsa theksuan edhe potencialin e kësaj vepre për të pasuruar ofertën turistike të Shëngjinit dhe për të tërhequr më shumë vizitorë.

Uroj shumë që ky të jetë vetëm hapi i parë i një sërë monumentesh që duhet, e ripërsëris, duhet të ndërtohen për të rikujtuar trashëgiminë, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. Nëpërmjet tyre, ne ruajmë dhe përcjellim te brezat e ardhshëm historinë dhe vlerat tona kombëtare”, u shpreh gazetari Marin Mema.

Nëpërmjet kësaj vepre që kemi vendosur këtu, ne hapim për herë të parë një figurë të një mbretëreshe ilire të lirë. Urojmë që kjo nismë e jona të shërbejë si shembull edhe për qytete të tjera, për të vendosur figura të tjera të rëndësishme të antikitetit, pra mbretër dhe mbretëresha ilire, edhe në qytete të tjera të Shqipërisë”, theksoi historiani, Paulin Zefi.

Me këtë skulpturë të vendosur atje, ku po zhvillohet një turizëm modern, një turizëm europian, një turizëm i së ardhmes, besoj se ruhet dhe përcillet kjo trashëgimi e një kryeqyteti jo politik, por një kryeqyteti të kulturës, kryeqyteti të qytetarëve dhe kryeqyteti të turizmit”, tha arkeologu, Neritan Ceka.

Kryebashkiakët e Lezhës dhe Shkodrës, Pjerin Ndreu dhe Benet Beci, e cilësuan shtatoren si një vlerë që bashkon trashëgiminë historike me zhvillimin e sotëm, duke e parë atë edhe si një mundësi të re për promovimin e Shëngjinit dhe Velipojës.

Lezha, përveç të tjerave, përveç aseteve të pafundme turistike që ka dhe përveç një turizmi që po zhvillohet gjithnjë e më shumë, ka edhe një arsye më shumë për ta vizituar: kjo është statuja e jashtëzakonshme e mbretëreshës Teuta”, theksoi Ndreu.

Është një aks i përbashkët ku Shkodra, Ulqini, Lezha, Durrësi dhe gjithë bregu tashmë janë jo vetëm një aks krenarie, historie e luftërash, por sot janë edhe një aks i bukur turizmi, bashkëpunimi dhe zhvillimi”, tha Beci.

Që prej kësaj të marte, figura monumentale e Mbretëreshës Teuta është pjesë e peizazhit të Shëngjinit, duke synuar të kthehet në një pikë të re referimi për vizitorët dhe në një atraksion që ndërthur historinë, kulturën dhe turizmin, transmeton rtsh.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kryeministri Rama në Napoli, vizitë në Katedrën e Gjuhës Shqipe pranë...

0
Kryeministri Edi Rama ndodhet sot në Napoli, Itali, për të marrë pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë....