BallinaKulturaDOM JUBANI, PRIFTI QË PËRBALLË BUKURISË FEMËRORE RIKTHEHET NË NJË NJERI TË...

DOM JUBANI, PRIFTI QË PËRBALLË BUKURISË FEMËRORE RIKTHEHET NË NJË NJERI TË ZAKONSHËM

-

Nga Angela Kosta 

Njihem prej shumë vitesh me gazetarin Artur Nura, botues në portalin Përqasje Italo-Shqiptare dhe spiker i Radio Radicales, një promovues i njohur dhe i apasionuar i figurave italiane dhe shqiptare, si edhe të kulturës, traditave, historisë dhe botës arbëreshe. Gjatë këtyre viteve kam lexuar shumë prej artikujve të tij kushtuar këtyre temave. Kohët e fundit po lexoj me kënaqësi edhe tregimet e tij, ndër të cilat “Prifti i mençur dhe dy vajzat e reja…”

Që në fillim, kjo narrativë na paraqet portretin e një prifti të veçantë dhe shembullor: të qetë, të arsyeshëm, të vëmendshëm, i aftë për të dëgjuar pa imponime. Ai nuk është prifti që ngjall ankth, as njeriu i Kishës që flet nga lartësia e një epërsie morale të supozuar.

Përkundrazi, ai është një prani e qetë, thuajse atëror, e aftë ta shndërrojë besimin në një formë dialogu njerëzor. Autoriteti i tij nuk lind nga distanca, por nga afërsia. Dom Jubani nuk të ndërpret, nuk gjykon menjëherë dhe nuk pretendon se e zotëron të vërtetën në mënyrë absolute. Edhe kur flet në përputhje me filozofinë e tij të krishterë, ai sqaron se bëhet fjalë për mendimin e tij, për një bindje personale të formuar përmes përvojës.

Pikërisht kjo vetëdije për kufizimet e tij e bën të besueshëm: ai është një njeri në shërbim të Zotit e, megjithatë, nuk resht së qeni njeri.

Por prapëseprapë, gjatë predikimit duket sikur personazhi ngrihet përtej përmasës individuale. Trupi i tij dinamik, sytë që lëvizin nga një besimtar te tjetri, zëri i ngrohtë dhe përfshirja e thellë në fjalën e predikimit e shndërrojnë atë në një urë midis qiellit dhe tokës. Ja pse Dom Jubani shfaqet si një figurë pothuajse e shenjtë: jo vetëm si ai që përcjell fjalën e fesë, por si ai që e bën atë të perceptueshme edhe fizikisht.

Megjithatë, kjo figurë solemne fillon të “plasaritet” gradualisht gjatë udhëtimit në verilindje të vendit. Dhe pikërisht në këtë plasaritje, personazhi përfiton të vërtetën e tij letrare. Falë rrëfimit mbresëlënës të Nurës, Dom Jubani shfaqet përpara lexuesve, të cilët bëhen shoqërues të këtij pelegrinazhi të mrekullueshëm, të përbërë nga: udhëtimi, vëzhgimi dhe reflektimi.

Udhëtimi e paraqet Dom Jubanin larg banesës së tij, larg kishës, autoriteteve dhe përmasës zyrtare të priftërimit. Është pikërisht në rrugët e vështira, mes banesave të varfra dhe fshatrave të izoluara, që, përmes optikës së tij të kujdesshme, shfaqet ana e tij më autentike.

Ai e njeh varfërinë si një realitet të pashmangshëm dhe konkret. E di shumë mirë se mikpritja e banorëve mund t’u kushtojë atyre borxhe, se ushqimi i ofruar me bujari mund të jetë blerë me para hua dhe se bujaria e të varfërve rrezikon të shndërrohet në një privim akoma më të madh.

Për këtë arsye, ai i refuzon ftesat për të hyrë nëpër shtëpi, edhe pse u përgjigjet me respekt dhe mirënjohje “bujrumeve” të tyre, kësaj ftese tradicionale tonën shqiptare, për të hyrë brenda. Gjesti i vendosjes së dorës në zemër dhe urimi që “Zoti ja u shpërbleftë”, është një falenderim i sinqertë, por edhe një akt fisnikërie dhe përmbajtjeje. Pranimi i ftesës do të kishte nënkuptuar përfitimin, qoftë edhe pa dashje, nga pasiguria dhe vështirësia ekonomike e të tjerëve.

Këtu, prifti shfaqet si një njeri me përgjegjësi të madhe. Besimi i tij nuk është i ndarë nga realiteti shoqëror. Ai nuk kufizohet vetëm te keqardhja, por vëzhgon, kupton, shqetësohet dhe përpiqet të nxisë ndërhyrje konkrete.

Kisha që ai përfaqëson nuk shfaqet si një institucion abstrakt, por si një prani që përpiqet të ndërhyjë, edhe pse e di se ndihma e rastësishme nuk mjafton për ta zhdukur varfërinë. Megjithatë, rrëfimi nuk synon të ndërtojë figurën e një shenjtori të përsosur, sepse përsosmëria nuk ekziston. Përkundrazi, pikërisht kur Dom Jubani duket më pranë figurës së njeriut të mirë dhe atëror, narracioni sjell një situatë që vë në provë dlirësinë e tij morale: takimin me dy vajzat.

Dy femra dhe tundimi i paragjykimit, madje edhe i atij hyjnor.

Vajza e parë shfaqet në sytë e rrëfimtarit (Nurës) dhe të lexuesit si paksa ekstravagante, e lyer me makiazh në mënyrë disi të tepruar, me karakter agresiv dhe përçmuese. Megjithatë, sjellja e saj ndryshon sapo vëren praninë e të riut laik. Që nga ai çast, ajo ia kushton vëmendjen vetëm rrëfimtarit, e vështron me interes dhe këmbëngul që ai të hyjë për të pirë një kafe, duke e shpërfillur plotësisht priftin modest.

Vajza e dytë, përkundrazi, përshkruhet përmes mirësisë, thjeshtësisë dhe një bukurie të mrekullueshme: bionde, e buzëqeshur, pa grim, me sy “ngjyrë qielli”, pothuajse në harmoni me natyrën e saj magjepsëse dhe rrezatuese. Ajo është e veshur thjesht, u ofron dy gota me lëng frutash dhe i fton të hyjnë brenda.

E dyta përfaqëson hijeshinë natyrore, në kundërshtim me joshjen e shfaqur të vajzës së parë. Duket qartë se Dom Jubani reagon ndryshe në të dyja rastet. Vajzës së parë i uron të gjejë një bashkëshort të mirë. Vajzës së dytë i drejton të njëjtin urim, por me një ton që rrëfimtari e percepton pothuajse si të kundërt.

Pikërisht ky kontrast “vesh dhe zhvesh” qendrën enigmatike të rrëfimit.

Shpjegimi që prifti jep më vonë është i natyrës morale dhe shoqërore. Ai pohon se shprehu dy urime që në dukje ishin të ndryshme, sepse dëshironte të mirën e të dyja vajzave, duke marrë parasysh jo vetëm personalitetin e tyre, por edhe burrin me të cilin do të martoheshin dhe familjen që do të krijonin.

Vajzës së parë i uron një burrë të mirë, të aftë ta korrigjojë dhe ta bëjë më të mirë. Për të dytën, përkundrazi, nuk sheh të nevojshme asnjë lutje: mirësia e saj do të ishte aq e fuqishme, saqë do të mund të zbuste edhe një njeri të keq.

Në këtë pikë më erdhi ndër mend një rrëfim popullor. Një burrë i moshuar ndodhej pranë një fshati. I etur, i kërkoi një vajze, e cila ndodhej pranë një kroi, t’i jepte të pinte nga shtamba e saj.

Vajza e trajtoi keq dhe e vështroi me përçmim. Atëherë i moshuari i uroi të gjente një bashkëshort të mirë.

Pak më vonë erdhi një vajzë tjetër. Kur plaku i kërkoi ujë, ajo i dha të pinte, duke e vështruar me keqardhje dhe ëmbëlsi. Burri i uroi të gjente një bashkëshort të keq.

Kur vajza e pyeti për arsyen e këtij urimi, ai iu përgjigj pikërisht si Dom Jubani: vajza e parë kishte nevojë për një burrë të mirë, i cili të mund ta korrigjonte, ndërsa vajza e dytë ishte aq e mirë, saqë mund të transformonte edhe një burrë të keq në të mirë.

Ky arsyetim, burim nga mençuria e thellë e rrënjëve popullore, është në përputhje me filozofinë e Dom Jubanit. Dhe pikërisht këtu, falë rrëfimit të Artur Nurës, lind një lexim filozofik dhe psikologjik i tregimit. Ai buron nga distanca midis asaj që thotë personazhi dhe asaj që percepton lexuesi.

Dom Jubani e shpjegon sjelljen e tij përmes kategorive të largpamësisë, dhembshurisë dhe përgjegjësisë. Megjithatë, pas kësaj koncepti racional, duket diçka më instinktive dhe më pak e kontrollueshme.

Prifti nuk mundi të mbetej indiferent ndaj vajzës së dytë. Bukuria e saj e preku, ndoshta e turbulloi, ose ndoshta e çarmatosi.

Momenti vendimtar është kur, pasi pi lëngun e frutave, Dom Jubani shpejton të largohet. Ai nuk ecën thjesht pranë rrëfimtarit, por i del përpara dhe nxitimthi, sikur dëshiron t’i shmanget një situate të mundshme bashkëfajësijeje ose flirtimi. Është sikur të kishte perceptuar një rrezik jo i pa moralshëm në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, por thjesht dhe natyrshëm njerëzor: mundësinë që bukuria e vajzës i krijoi joshje, një shkëmbim vështrimesh, një lojë të heshtur dëshirash. Sepse, në fund të fundit, edhe ai është një njeri i përbërë prej mishi, gjaku, dëshirash dhe ndjenjash.

Shprehja e tij “Marrsh një burrë të keq…”, e thënë me zë të ulët vetëm tri metra pasi ishte larguar nga vila, është e dykuptimtë. Mund t’i referohet vajzës së parë, të cilën e gjykon të aftë për të joshur dhe manipuluar një mashkull. Por mund të përbëjë edhe një rrëfim të tërthortë për veten e tij. Pikërisht në këtë mundësi të fundit qëndron pika kyçe dhe interesante e tregimit. Dom Jubani mund ta quajë “jo të mirë” (veten), atë njeri që, përballë bukurisë, nuk arrin më, ta shohë tjetrin me neutralitetin e dashurisë së krishterë.

Ai mund të jetë duke pranuar në vetvete një reagim instinktiv, i cili, përveç turbullimit, përmban edhe një formë xhelozie të pavetëdijshme. Dom Jubani nuk do të ishte më vetëm prifti që e mbron të njeriun nga një tundim, por njeriu që ndien mbi vete peshën e po të njëjtit tundim.

Nxitimi i tij, heshtja dhe mënyra se si largohet nga vajza dhe nga rrëfimtari sugjerojnë se problemi nuk është vetëm flirtimi i mundshëm i personit tjetër, por nevoja që ai të largohet nga ajo prani femërore, për të rifituar kontrollin mbi veten. Teologjia e tij hyn në skenën e ndjenjave më pas, ndoshta thjesht si vetëmbrojtjeje.

Ja pse ritheksoj se tregimi i Nurës është veçanërisht interesant, sepse nuk e paraqet bukurinë femërore si një zbukurim të thjeshtë narrativ. Në këtë rrëfim, bukuria shndërrohet në një forcë, aq të aftë, për të sjellë në pah, për të zbuluar, atë që personazhet nuk e shprehin hapur. Përballë vajzës bionde, Dom Jubani nuk e humb besimin, nuk e tradhton domosdoshmërisht rolin e tij dhe nuk kryen asnjë gjest jashtë termave të etikës mashkullore. E megjithatë, vetëm për një çast, ai humbet atë distancë të qetë, paqësore që e kishte karakterizuar në fillim të leximit.

Dhe pikërisht kjo e bën atë një njeri normal. 

Prifti, i cili gjatë meshës duket sikur ngrihet nga përmasa njerëzore drejt asaj hyjnore është i njëjti njeri që, përballë një vajze të bukur, të sjellshme rrezatuese dhe të buzëqeshur, rikthehet në përmasën njerëzore me një shpejtësi pothuajse të habitshme.

Zëri i tij mund ta përshkojë kishën si një melodi të Johann Sebastian Bach. Predikimi i tij mund t’i udhëheqë besimtarët drejt një përmase shpirtërore, hyjnore. Por gjithësesi, jashtë kishës, ai mbetet i nënshtruar ndaj të njëjtave reagime, të njëjtave impulse dhe të njëjtave dobësive, si çdo njeri tjetër. Madhështia e personazhit nuk qëndron, pra, në faktin se ai është i imunizuar ndaj dëshirës së shfrenuar, por në aftësinë për ta njohur cënueshmërinë e vet dhe për t’u përpjekur ta kontrollojë atë, jashtë çdo mundësie.

Dom Jubani nuk është shenjtor sepse nuk ndien asgjë ndaj bukurisë femërore. Ai është një njeri shpirtërisht interesant, sepse ndien, e vëzhgon atë që ndien dhe përpiqet me çdo kusht t’i japë një kuptim moral asaj përvoje.

Rrëfimi i tij për kënaqësinë e fshehtë që ndien përballë bukurisë femërore edhe pse i angazhuar me misionin e tij teologjik, e përgatit atë dhe lexuesin pikërisht drejt këtij zbulimi. 

Ai e pranon, (ashtu sikurse edhe më parë), se qenia njerëzore përmban në vetvete një përbërës egoist e shpesh të paskrupullt.

Skena e dy vajzave zbaton të njëjtin parim mbi bukurinë dhe joshjen. Edhe prifti, ndonëse i edukuar nga teologjia, nuk qëndron jashtë natyrës njerëzore. Besimi i ofron mjete për vetëkontroll, por jo imunitet ndaj emocioneve.

Dom Jubani jeton vazhdimisht në një zonë të ndërmjetshme: midis qiellit dhe tokës, midis institucionit dhe ndërgjegjes, midis dhembshurisë dhe gjykimit, midis mirësisë së sinqertë dhe dobësisë personale.

Ai hesht përballë autoriteteve politike, pothuajse i padurueshëm ndaj përdorimit instrumental të Kishës dhe fesë. Përkundrazi, përballë besimtarëve dhe banorëve të varfër të fshatrave,

është i artikuluar dhe e ngre zërin fuqishëm.

Por, pavarësisht kësaj, përballë bukurisë femërore papritmas bëhet më pak i sigurt, më pak linear dhe më pak “vetiak”.

Këtu rrëfimi me mjeshtërinë e penës së Nurës, shmang përfundimin e plotë të kuptimit të episodit. Shpjegimi i Dom Jubanit është i arsyeshëm, por nuk e zhduk dyshimin se ndjenjat e tij janë të ndikuara nga një reagim personal. Ai mund t’i ketë uruar vërtet vajzës së parë një burrë të mirë dhe së dytës një burrë të aftë të shndërrohej nga mirësia e saj, por megjithatë, mund të ketë reaguar ndaj vajzës së dytë me një turbullim madhor, pikërisht sepse e vuri re më të bukur, më delikate dhe më të hijshme, thuajse një krijesë hyjnore.

Për këtë, urimi i tij nuk mund të perceptohet si një “dënim” ndaj vajzës, por si efekt disi marrosës karshi magjepsjes së saj.

Të mos lutej për të, sepse “nuk ka nevojë” mund të jetë një arsyetim i sinqertë, por mund të jetë edhe mënyra me të cilën prifti përpiqet të vetëmbrohet nga emocioni që ajo vajzë i shkaktoi. Dhe pikërisht në atë çast personazhi bëhet më i besueshëm te lexuesit.

Sjellja e tij si njeri normal, nuk e zvogëlon botën shpirtërore të tij: përkundrazi, e bën më të mundshëm mendimin se besimi i Dom Jubanit nuk lind nga një përsosmëri e supozuar, por nga vetëdija se është i papërsosur.

Prifti mbetet një njeri i mirë, atëror dhe i arsyeshëm, por nuk është një njeri i shkëputur nga trupi dhe dëshirat. Edhe ai, si çdokush, mund të magjepset, të çorientohet dhe madje të joshet nga bukuria e një femre.

Kisha, nën kupolën e saj, është vendi ku ai i udhëheq të tjerët drejt hyjnores, por zbulimi i vërtetë ndodh përpara një porte hekuri, kur një grua e re ofron dy gota me lëng frutash dhe një buzëqeshje rrezatuese.

Dhe aty, Dom Jubani nuk resht së qeni prift. Thjesht, për një çast, kupton se është edhe ai një njeri i zakonshëm përtej veshjes fetare.

Dhe pikërisht ky është thelbi që, përmes shkrimit të rrjedhshëm të Artur Nurës, mbërrin te lexuesit: figura e një rrëfimtari të aftë të lëvizë midis reflektimit filozofik, analizës psikologjike dhe vëzhgimit shoqëror.

Ju ftoj ta lexoni tregimin në linkun e mëposhtëm:

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh