BallinaDiasporaMbi 10 mijë shqiptarë priten në Hagë

Mbi 10 mijë shqiptarë priten në Hagë

-

Gjykata Speciale në Hagë pritet të shpallë më 16 shtator aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.

Gazetarja e Radio Televizionit Shqiptar, Jonida Omeri, raportoi drejtpërdrejt nga Haga mbi atmosferën një ditë para vendimit, duke theksuar interesin e madh që ka krijuar procesi në Kosovë, Shqipëri, rajon dhe më gjerë.

“Na ndajnë më pak se 24 orë kur trupa gjykuese e Gjykatës Speciale në Hagë do të japë vendimin për katërshen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pas deklaratave përmbyllëse të zhvilluara në shkurt, gjykata ka përfunduar fazat e procesit dhe pritet që vendimi të shpallet rreth orës 10:00″, raportoi gazetarja.

Omeri nënvizoi se bëhet fjalë për një vendim të shkallës së parë, çka do të thotë se si Prokuroria, ashtu edhe mbrojtja e të akuzuarve, kanë të drejtë të apelojnë. RTSH do ta përcjellë në kohë reale vendimin e Speciales.

Mbi 10 mijë shqiptarë priten në Hagë
Në pritje të vendimit, 10 mijë shqiptarë do të marshojnë sonte në Hagë në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së dhe si protestë kundër akuzave. “Zyrtarisht rreth orës 20:00 ditën e sotme, të paktën nga ajo çfarë kanë paralajmëruar organizatorët e këtij marshimi, mbi 10.000 shqiptarë nga të gjitha trojet pritet të mbërrijnë në Hagë”, tha Omeri.

Sipas saj, në tubim pritet të marrin pjesë shqiptarë nga Kosova, Shqipëria dhe diaspora. Gazetarja bëri të ditur se organizatorët kanë parashikuar një marshim nga ambientet pranë gjykatës drejt një tjetër pike grumbullimi në Hagë. Ajo shtoi se pritet që shqiptarët të qëndrojnë edhe gjatë ditës së shpalljes së aktgjykimit.

“Menjëherë pasi të jepet vendimi do të ketë sërish grumbullim të shqiptarëve për të pritur verdiktin, por natyrisht edhe për të festuar, kanë theksuar ata, pasi presin dhe kanë shpresa që nesër do të jetë një vendim në favor të katërshes së UÇK-së”, raportoi Omeri.

Sipas gazetares, autoritetet holandeze kanë marrë masa për mbarëvajtjen e tubimeve dhe sigurinë përreth ambienteve të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

Omeri tha se përfaqësuesit për media të Gjykatës Speciale kanë bërë të ditur se autoritetet holandeze janë mobilizuar për shkak të numrit të madh të njerëzve që pritet të jenë të pranishëm gjatë shpalljes së vendimit.

Çfarë u dëshmua gjatë procesit?
Duke iu referuar procesit gjyqësor, Omeri tha se Prokuroria ka thirrur më shumë se 100 dëshmitarë, ndërsa edhe mbrojtja e katër të akuzuarve ka paraqitur dëshmitë e veta.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa të katër i kanë mohuar kategorikisht akuzat.

Sipas raportimit të Omerit, disa prej dëshmitarëve të thirrur nga mbrojtja, përfshirë persona që kanë pasur pozita të rëndësishme gjatë luftës së Kosovës, kanë kundërshtuar pretendimin se katër të akuzuarit kanë qenë pjesë e një strukture të centralizuar komanduese.

“Dëshmitarët si diplomatë të ndryshëm kanë theksuar se në fakt aso kohe Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ka pasur një strukturë të vetme komanduese, por kanë qenë komandantët e terrenit ata të cilët jepnin urdhra”, raportoi gazetarja.

Sipas saj, në këto dëshmi Hashim Thaçi është përshkruar më tepër si figurë politike dhe diplomatike e UÇK-së, sesa si personi që jepte urdhra ushtarakë të cilët më pas zbatoheshin në terren.

Omeri theksoi se aktgjykimi pritet të ketë rëndësi jo vetëm juridike, por edhe politike, duke pasur parasysh interesimin që procesi ka ngjallur në Kosovë, Shqipëri dhe rajon.

“Vendimi i ditës së nesërme është shumë i rëndësishëm jo vetëm për sa i përket aspektit ligjor, por është shumë i rëndësishëm edhe për sa i përket aspektit politik, pasi vendimi prek jo vetëm Kosovën, por dhe më gjerë”, deklaroi gazetarja nga Haga.

Ajo përmendi edhe interesimin e Serbisë për procesin, si dhe qëndrimet e shprehura më herët nga presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe Bashkimi Evropian.

Aktgjykimi pritet të shpallet më 16 shtator në Hagë. Procesi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit ka përfunduar pas një procedure gjyqësore që zgjati disa vite, ndërsa vendimi i shkallës së parë mund të ankimohet nga palët, transmeton rtsh. ( Foto ilustrim)

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

SH.K.A. “DARDANIA” PREZANTOI KULTURËN SHQIPTARE NË FESTIVALIN E KOMBEVE NË RORSCHACH

0
Rorschach/ Zvicër, 12 shtator 2026 | Kultur Fest Rorschach - Në një atmosferë të pasur me ngjyra, muzikë, valle dhe tradita nga kultura të...