
Nga Beqir SINA – New York
Ish-anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut dhe ish kryetari i Këshillit Koordinues i Diasporës kërkon qeveri tranzitore pas dhunës ndaj protestuesve
Ish-anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut dhe i Asamblesë së Shtetit të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, në një deklaratë të fortë të datës 20 tetor 2026, i ka bërë thirrje publike Kryeministrit Edi Rama që të japë dorëheqjen.
Gjonaj, i cili ka ndjekur nga afër protestat në Shqipëri për më shumë se 135 ditë, thotë se është tronditur thellë nga përgjigja e qeverisë ndaj protestuesve gjatë javës së fundit.
Në letrën e tij, Gjonaj thekson se një qeveri ka detyrimin të ruajë rendin publik, të mbrojë pronën dhe të garantojë sigurinë e qytetarëve. Por këto detyra, sipas tij, nuk duhet të bien ndesh me respektimin e të drejtave kushtetuese dhe të dinjitetit të popullit.
Ai vlerëson se dhuna e ushtruar ndaj protestuesve dhe civilëve është joproporcionale dhe shkel të drejtat themelore.
Gjonaj i bën thirrje qeverisë të ndërmarrë menjëherë katër veprime konkrete. Së pari, të ulë tensionet dhe t’i japë fund dhunës së tepruar, duke ndaluar përdorimin pa dallim të plumbave të gomës, autobotëve të ujit dhe gazit lotsjellës, si dhe duke siguruar që operacionet e policisë të zhvillohen në përputhje me ligjin dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Së dyti, të garantojë llogaridhënien e policisë, duke detyruar punonjësit të heqin maskat dhe të mbajnë identifikim të qartë gjatë ushtrimit të autoritetit publik.
Së treti, të hetojë dhe të ndjekë penalisht shkeljet përmes hetimeve të pavarura për akuzat e dhunës policore.
Së katërti, të krijojë një qeveri tranzitore që hap një rrugë të besueshme drejt reformave që respektojnë vullnetin e popullit shqiptar.
Për të rikthyer stabilitetin dhe për të parandaluar trazira të mëtejshme apo humbje jete, Gjonaj i kërkon drejtpërdrejt Kryeministrit Rama të japë dorëheqjen.
Ai vlerëson se ndryshimi i udhëheqjes është rruga më e qartë për të rindërtuar besimin e publikut te qeveria dhe për t’i mundësuar Shqipërisë të nisi një kapitull të ri, të mbështetur në vlerat demokratike, shtetin e së drejtës, llogaridhënien dhe transparencën.
Në fund të deklaratës, Gjonaj njofton se largohet nga çdo pozicion me efekt të menjëhershëm si anëtar i Këshillit Koordinues të Diasporës.
“Ndërgjegjja ime nuk më lejon të vazhdoj të shërbej në një këshill që funksionon nën këtë administratë,” shkruan ai.
Deklarata mbyllet me fjalët:
“Asnjë fitore politike nuk vlen sa jeta e një shqiptari të vetëm.”
Lëtra i është dërguar edhe Presidentit Bajram Begaj, Kryetarit të Kuvendit Niko Peleshi, Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme Ferit Hoxha, Agjencisë Kombëtare të Diasporës dhe Këshillit Koordinues të Diasporës.
Me këtë hap, Mark Gjonaj, një zë i njohur i diasporës shqiptare në Nju Jork, i shton presionit publik ndaj qeverisë shqiptare në një moment të tensionuar politik dhe social.










