Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, së bashku me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Bashkim Jashari, kanë pritur në takim kryetarin e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, Mefail Bajçinovci, si dhe anëtarët e këtij komisioni. Gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet aktuale në Ministrinë e Mbrojtjes dhe FSK, ecurinë e procesit të tranzicionit, modernizimin e ushtrisë dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
Po ashtu, vëmendje e veçantë i është kushtuar prioriteteve strategjike për periudhën e ardhshme dhe rëndësisë së koordinimit ndërmjet institucioneve përgjegjëse për sektorin e mbrojtjes.
Përmes një njoftimi, ministri Maqedonci ka shprehur mirënjohjen për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes.
Ai ka theksuar se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe mbikëqyrja parlamentare janë të rëndësishme për zhvillimin dhe forcimin e mëtejshëm të sektorit të mbrojtjes së Republikës së Kosovës, transmeton rtk.










