BallinaAtdheuKuvendi i Kosovës mblidhet sot për Ligjin e Speciales

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot për Ligjin e Speciales

-

Kuvendi i Kosovës mblidhet këtë të premte për të vazhduar seancën plenare, ku në rend dite është edhe votimi i ndryshimeve dhe plotësimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, i njohur si Ligji për Specialen. Seanca pritet të nisë në orën 11:00, pasi punimet u ndërprenë një ditë më parë, për shkak të mungesës së deputetëve në sallë. Edhe gjysmë ore pas orës 14:00, kur ishte planifikuar vazhdimi i seancës, deputetët nuk u kthyen në Kuvend. Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, vendosi ta shtyjë vazhdimin e seancës për të premten, duke shprehur pakënaqësi për mungesën e deputetëve.

“Kuvendi i vazhdon punimet të premten në orën 11:00. Nuk është serioze, gjysmë ore pas orës 14:00 nuk po vijnë deputetët. Nuk kam mundësi me funksionu dhe me prit deri në pafundësi”, deklaroi Haxhiu. Kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës për shqyrtimin e ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara ishte shtuar në rendin e ditës së seancës. Megjithatë, nisma ka nxitur reagime dhe shqetësime nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës. Britania e Madhe ka shprehur kundërshtimin ndaj synimit të Kuvendit për të votuar sërish ndryshimet ligjore, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të dëmtojë marrëdhëniet e Kosovës me partnerët ndërkombëtarë.

Në reagimin e Ambasadës Britanike në Prishtinë thuhet se amendamentet e propozuara nuk do t’u shërbenin interesave thelbësore të Kosovës. Edhe Ambasada Gjermane në Kosovë ka shprehur shqetësim përmes një reagimi në rrjetet sociale, duke u pajtuar me qëndrimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë lidhur me votimin e mundshëm të këtyre ndryshimeve. Ndërkaq, Zyra e BE-së ka vlerësuar se amendamentet e propozuara ngrenë shqetësime serioze për obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve të sundimit të ligjit.

Në veçanti, janë përmendur pavarësia e gjyqësorit, mbrojtja e viktimave dhe dëshmitarëve, të drejtat procedurale dhe llogaridhënia efektive. Zyra e BE-së ka ngritur gjithashtu pikëpyetje për kushtetutshmërinë e ndryshimeve, duke kërkuar që para çdo miratimi të zhvillohen konsultime paraprake, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës, transmeton rtsh.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Kurti takohet me kryeministren daneze

0
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, në margjinat e takimit të Komunitetit Politik Evropian (EPC),...