Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me presidentin e Konfederatës së Zvicrës, Guy Parmelin, në kuadër të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC). Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se gjatë takimit kanë biseduar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, duke vënë në pah lidhjen e veçantë të mërgatës shqiptare me popullin dhe shtetin zviceran.
Ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e Zvicrës ndaj Kosovës, ndërsa si zhvillim të rëndësishëm ka veçuar hyrjen në fuqi të Marrëveshjes për Tregti të Lirë me EFTA-n, e cila përfshin tregtinë e mallrave dhe shërbimeve.
Sipas Kurtit, kjo marrëveshje shënon një kapitull të ri në bashkëpunimin ekonomik ndërmjet palëve.
Takimi vlerësohet si pjesë e angazhimeve për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe rolin e mërgatës shqiptare në lidhjen e Kosovës me Zvicrën./BS










