BallinaDiasporaKurti takon presidentin e Senatit francez, Gérard Larcher

Kurti takon presidentin e Senatit francez, Gérard Larcher

-

PARIS – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me presidentin e Senatit të Francës, Gérard Larcher, në prag të nisjes së Forumit të Paqes në Paris, ku në fokus të bisedimeve kanë qenë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Francës, bashkëpunimi institucional dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë kryeministri Kurti, i cili ka shprehur mirënjohjen për kontributin e Francës në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës, si dhe për mbështetjen e vazhdueshme të këtij shteti në proceset e zhvillimit dhe konsolidimit të Republikës së Kosovës.

Gjatë takimit, Kurti e ka njoftuar homologun e tij francez për zhvillimet aktuale politike dhe institucionale në vend, duke vënë theksin te stabiliteti institucional pas zgjedhjes së presidentes dhe prioritetet e Qeverisë për mandatin e ri qeverisës.

Në këtë kuadër, janë diskutuar projektet që lidhen me zhvillimin e infrastrukturës hekurudhore, investimet në infrastrukturën sportive, ndërtimin e digave, si dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes. Po ashtu, është biseduar për mundësitë konkrete të zgjerimit të bashkëpunimit dhe thellimit të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet dy vendeve.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit i është kushtuar edhe reformave në drejtësi, arsim dhe administratë publike, si dhe përparimit demokratik dhe zhvillimit ekonomik të Kosovës.

Kryeministri Kurti ka theksuar veçanërisht rëndësinë e mbështetjes franceze në rrugëtimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe anëtarësimit në NATO, duke vlerësuar se përkrahja e Francës në këto procese ka rëndësi jo vetëm për Kosovën, por edhe për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe të gjithë Evropës.

“Roli mbështetës i Francës për avancimin e Republikës sonë në këtë proces është i rëndësishëm, sikurse në atë të anëtarësimit në NATO, që do t’i kontribuonte paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate të Ballkanit Perëndimor dhe mbarë Evropës”, ka deklaruar Kurti.

Takimi në Paris vjen në kuadër të angazhimeve diplomatike të Kosovës për forcimin e partneriteteve ndërkombëtare dhe avancimin e pozitës së saj në arenën evropiane. Marrëdhëniet me Francën, si një nga shtetet me peshë të veçantë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, mbeten një dimension i rëndësishëm i diplomacisë së Kosovës, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

MESSI SHKRUAN HISTORI NË MLS, FITON “KËPUCËN E ARTË” PËR TË...

0
Ylli argjentinas bëhet lojtari i parë në historinë e Major League Soccer që fiton dy herë radhazi çmimin e golashënuesit më të mirë. Me...