ZVICËR – Java e re pritet të sjellë ndryshime të shpeshta të motit në Zvicër. Reshjet e shiut, vranësirat, intervalet me diell dhe erërat e forta do të karakterizojnë ditët në vijim, ndërsa nga e premtja pritet një rënie e ndjeshme e temperaturave, e shoqëruar me erën e ftohtë, ptransmeton 20min.ch. Sipas parashikimeve të MeteoSwiss, java nis me mot kryesisht të vranët dhe me reshje shiu në disa pjesë të vendit. Të hënën, veçanërisht në pjesën veriore të Alpeve dhe në Zvicrën verilindore, priten reshje të herëpashershme. Ndërkohë, në pjesën veriore dhe qendrore të kantonit Graubünden moti do të jetë kryesisht i thatë. Temperaturat gjatë pasdites do të arrijnë rreth 9 gradë Celsius. Në luginat alpine do të ndihet herë pas here era e ngrohtë Föhn, ndërsa kufiri i reshjeve të borës do të ngrihet nga 2.000 në rreth 2.400 metra lartësi.
E marta nis me shi, por moti përmirësohet gjatë ditës
Gjatë natës nga e hëna në të martë, reshjet e shiut pritet të përhapen në pjesën më të madhe të Zvicrës. Mëngjesi i së martës do të jetë kryesisht i vranët dhe me reshje, ndaj qytetarëve u rekomandohet të kenë me vete çadrat gjatë rrugës për në punë. Megjithatë, gjatë gjysmës së dytë të ditës, nga perëndimi pritet përmirësim gradual i motit. Reshjet do të pushojnë dhe vranësirat do të fillojnë të shpërndahen. Temperaturat në ultësira do të jenë rreth 8 gradë në mëngjes dhe deri në 12 gradë gjatë pasdites. Kufiri i borës do të mbetet në lartësi prej rreth 2.500 metrash.
E mërkura, dita më e ngrohtë e javës
Të mërkurën pritet një përmirësim relativ i kushteve atmosferike. Në mëngjes, në disa zona të ultësirave do të ketë mjegull, me kufirin e sipërm rreth 700 metrave. Në pjesët e tjera të vendit moti do të jetë me vranësira të ndryshueshme dhe intervale me diell. Nuk përjashtohen reshje të izoluara, veçanërisht pranë rajonit të Jurës dhe në pjesën veriore të Zvicrës. Me temperatura deri në 13 gradë Celsius, e mërkura pritet të jetë dita më e ngrohtë e kësaj jave. Në zonat malore do të fryjë erë jugperëndimore me intensitet mesatar deri të fortë.
Të enjten rikthehen reshjet
Të enjten moti do të jetë sërish i paqëndrueshëm, me vranësira të ndryshueshme deri të dendura. Fillimisht reshjet do të përfshijnë Alpet nga jugu, ndërsa gjatë gjysmës së dytë të ditës pritet të shtrihen edhe në pjesën veriore të Alpeve. Kufiri i reshjeve të borës do të zbresë në rreth 2.300 metra, ndërsa temperaturat maksimale do të arrijnë afërsisht 12 gradë Celsius.
E premtja sjell të ftohtin dhe erën Bise
Ndryshimi më i ndjeshëm i motit pritet të ndodhë të premten. Temperaturat do të pësojnë rënie të dukshme, ndërsa fillimisht moti do të jetë kryesisht i vranët. Reshje të herëpashershme priten sidomos në zonat alpine dhe në lindje të vendit. Gjatë ditës reshjet do të dobësohen dhe vranësirat do të fillojnë të shpërndahen. Njëkohësisht, kufiri i borës do të zbresë nga rreth 2.000 metra deri në afërsisht 1.000 metra lartësi. Temperatura do të bjerë nga rreth 9 gradë në fillim të ditës në vetëm 3 gradë Celsius deri në mbrëmje. Krahas rënies së temperaturave, do të fryjë edhe era Bise, me intensitet mesatar deri të fortë, duke e bërë motin të ndihet edhe më i ftohtë. Qytetarët këshillohen të përshtatin veshjen dhe udhëtimet me kushtet e ndryshueshme atmosferike, veçanërisht gjatë ditëve të para të javës me reshje shiu dhe të premten, kur pritet kthesa e ndjeshme drejt motit të ftohtë, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch.










