Shqipëri – Blerja e një banese, dikur një prej synimeve kryesore të çdo familjeje që punonte dhe kursente, po shndërrohet gjithnjë e më shumë në një sfidë të vështirë ekonomike. Çmimet e apartamenteve po rriten me ritme shumë më të shpejta sesa të ardhurat e qytetarëve, duke e bërë pronësinë e një shtëpie gjithnjë e më të paarritshme për të rinjtë, çiftet e reja dhe familjet me të ardhura mesatare.
Të dhënat e publikuara nga revista ekonomike “Monitor” tregojnë një përkeqësim të ndjeshëm të përballueshmërisë së banesave në Shqipëri gjatë dekadës së fundit. Sipas përllogaritjeve, raporti ndërmjet çmimeve të banesave dhe të ardhurave të disponueshme për frymë është rritur me 76.3% gjatë periudhës 2015–2025. Kjo do të thotë se për të blerë të njëjtën banesë, sot nevojiten rreth 76% më shumë të ardhura vjetore sesa dhjetë vjet më parë. Nëse në vitin 2015 një apartament kushtonte sa të ardhurat e dhjetë viteve, në vitin 2025 do të duheshin rreth 17.6 vite të ardhura, edhe nëse ato do të shpenzoheshin tërësisht për blerjen e tij.
Sipas të dhënave të INSTAT-it, të ardhurat e disponueshme bruto për frymë janë rritur nga rreth 429 mijë lekë në vitin 2015 në 765 mijë lekë në vitin 2025, ose 78.4%. Megjithatë, çmimet e banesave kanë shënuar një rritje shumë më të madhe.
Indeksi Fischer i Bankës së Shqipërisë, i cili mat ecurinë e çmimeve në tregun e pasurive të paluajtshme, tregon se çmimet e banesave janë rritur me 214.4% gjatë së njëjtës periudhë. Pra, ndërsa të ardhurat janë rritur me më pak se dyfish, çmimet e apartamenteve janë më shumë se trefishuar.
Tirana, gjithnjë e më e shtrenjtë për të jetuar
Situata paraqitet edhe më e ndjeshme në kryeqytetin shqiptar. Sipas të dhënave të Key Data, çmimi mesatar i shitjes së apartamenteve në Tiranë ishte rreth 860 euro për metër katror në vitin 2015.
Në vitin 2020, ky çmim arriti në 1,038 euro, ndërsa në vitin 2025 u ngjit në rreth 1,950 euro për metër katror, duke iu afruar 2,100 eurove në fund të vitit.
Krahasuar me vitin 2015, çmimet në kryeqytet janë rritur rreth 127%, ndërsa vetëm gjatë pesë viteve të fundit shtrenjtimi ka qenë rreth 88%.
Për një apartament prej 100 metrash katrorë, kjo përkthehet në një diferencë të konsiderueshme financiare: në vitin 2015 vlera mesatare ishte rreth 86 mijë euro, në vitin 2020 rreth 104 mijë euro, ndërsa në vitin 2025 arriti në rreth 195 mijë euro.
Me fjalë të tjera, për të blerë një apartament të njëjtë në Tiranë, një familjeje sot i nevojiten rreth 109 mijë euro më shumë sesa dhjetë vjet më parë.
Shqipëria tejkalon edhe Portugalinë në rritjen e raportit çmim–të ardhura
Problemi i përballueshmërisë së banesave është i pranishëm edhe në shumë vende evropiane, por të dhënat tregojnë se përmasat e tij në Shqipëri janë veçanërisht të theksuara.
Sipas Eurostat-it, raporti ndërmjet çmimeve të banesave dhe të ardhurave për frymë në Bashkimin Evropian ishte 6.8% më i lartë në vitin 2025 krahasuar me vitin 2015.
Portugalia regjistroi rritjen më të madhe në BE, me 60.8%, e ndjekur nga Holanda me 34.3%, Hungaria me 26.5%, Çekia me 25.8% dhe Spanja me 24.5%.
Ndërkohë, për Shqipërinë, përllogaritja e “Monitor” tregon një rritje prej 76.3%, më të lartë se ajo e Portugalisë, e cila kryeson listën e vendeve të Bashkimit Evropian.
Megjithatë, krahasimi duhet interpretuar me kujdes, pasi Shqipëria nuk përfshihet në statistikat e harmonizuara të Eurostat-it dhe përllogaritjet bazohen në metodologji e burime të ndryshme statistikore.
Një sfidë që prek të ardhmen e familjeve
Përtej shifrave dhe statistikave, rritja e çmimeve të banesave ngre një çështje të rëndësishme sociale dhe ekonomike: sa e mundur është që një i ri apo një familje e zakonshme në Shqipëri të sigurojë një shtëpi përmes punës dhe kursimeve të veta? Kur çmimi i një apartamenti rritet shumë më shpejt se të ardhurat, kursimi bëhet më i vështirë, ndërsa varësia nga kreditë afatgjata bëhet gjithnjë e më e madhe. Për shumë familje, blerja e një banese nuk është më thjesht çështje planifikimi financiar, por një barrë që mund të zgjasë për dekada. Shifrat e publikuara nga “Monitor” dëshmojnë një hendek në rritje ndërmjet tregut të pasurive të paluajtshme dhe mundësive reale ekonomike të qytetarëve. Një zhvillim që kërkon vëmendje nga institucionet, politika të menduara për strehimin dhe masa që mund të ndihmojnë familjet dhe brezin e ri të kenë mundësi reale për të siguruar një çati mbi kokë. Sepse një shoqëri nuk matet vetëm me numrin e ndërtesave që ngrihen, por edhe me mundësinë që qytetarët e saj të kenë një shtëpi ku mund të ndërtojnë të ardhmen./BW (Foto ilustrim)










