Paris – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me disa personalitete franceze, të cilët ndër vite kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në mbështetjen e Kosovës. Takimi u mbajt në prag të nisjes zyrtare të Forumit të Paqes në Paris, ku në fokus të diskutimeve ishin zhvillimi ekonomik, investimet në siguri dhe mbrojtje, si dhe perspektiva euroatlantike e vendit. Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në takim morën pjesë figura të njohura franceze nga fusha e politikës, diplomacisë, ushtrisë, akademisë dhe gazetarisë, të cilat kanë mbështetur Kosovën në periudha të ndryshme historike.
Ndër të pranishmit ishte Alain Richard, ish-ministër i Mbrojtjes i Francës, i njohur për mbështetjen e ndërhyrjes së NATO-s më 1999, me qëllim ndalimin e krimeve të luftës dhe spastrimit etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Pjesë e takimit ishte edhe Gilles Pernet, oficer ushtarak dhe ish-zyrtar i lartë në Ministrinë franceze të Mbrojtjes, bashkautor i librit “Kosovo: récits sur la construction d’un État”, së bashku me Sébastien Gricourt.
Në këtë takim mori pjesë gjithashtu antropologia dhe studiuesja Véronique Nahoum-Grappe, e cila prej vitesh merret me studimin e dhunës seksuale në luftëra dhe konflikte. Ajo ka qenë e angazhuar për çështjen e Kosovës që nga vitet ’90 dhe është autore e librit “Kosovo: un drame annoncé”.
Në mesin e personaliteteve të pranishme ishin edhe Frédérique Duversin, drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris, e cila ka kontribuar në promovimin e kulturës kosovare në Francë, si dhe gazetarja Florence Hartmann, ish-korrespondente e gazetës “Le Monde” dhe ish-këshilltare e zëdhënëse e ish-kryeprokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Pas takimit, kryeministri Kurti bëri të ditur se diskutimet u përqendruan në arritjet demokratike të Kosovës, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes.
“Biseduam për përparimin demokratik dhe zhvillimin e qëndrueshëm e të vazhdueshëm ekonomik, për investimet në siguri e në mbrojtje, për aktgjykimin e padrejtë të 16 shtatorit dhe angazhimin për korrigjimin e tij në apel”, ka deklaruar Kurti.
Kreu i Qeverisë foli gjithashtu për prioritetet dhe planet e mandatit të ri qeverisës, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes franceze në procesin e integrimit euroatlantik të Kosovës.
Takimi vjen në një moment të rëndësishëm për diplomacinë kosovare, duke ritheksuar rëndësinë e marrëdhënieve me Francën dhe të mbështetjes së partnerëve ndërkombëtarë në avancimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare, transmeton rtk.










