Skender Hita zhvillon takime në Romë me drejtuesit e lartë të Policisë Kriminale dhe Drejtorisë Hetimore Antimafia të Italisë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Romë, ku është takuar me drejtues të lartë të strukturave policore dhe hetimore italiane, me qëllim forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve kriminale ndërkufitare. Gjatë vizitës, Hita dhe delegacioni shqiptar u pritën në Drejtorinë Qendrore të Policisë Kriminale nga prefekti Raffaele Grassi, Zëvendësdrejtor i Përgjithshëm i Sigurisë Publike dhe Drejtor Qendror i Policisë Kriminale, si dhe nga gjenerali Nicola Massimo Masciulli, Drejtor i Drejtorisë Hetimore Antimafia (DIA). Në këto takime, ku morën pjesë edhe drejtues të strukturave italiane kundër narkotikëve, të bashkëpunimit ndërkombëtar policor dhe të Shërbimit Qendror Operacional, në qendër të diskutimeve ishte intensifikimi i hetimeve dhe operacioneve të përbashkëta kundër grupeve kriminale që veprojnë në Shqipëri dhe Itali. Vëmendje e veçantë iu kushtua luftës kundër trafikut të drogës, trafiqeve të paligjshme, krimeve kibernetike dhe formave të tjera të kriminalitetit ndërkombëtar. Palët theksuan rëndësinë e shkëmbimit në kohë reale të informacionit dhe inteligjencës policore, koordinimit të operacioneve dhe goditjes së burimeve financiare të organizatave kriminale.
Një tjetër çështje me rëndësi ishte intensifikimi i bashkëpunimit për lokalizimin dhe arrestimin e personave të shpallur në kërkim nga autoritetet e drejtësisë në të dyja vendet. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita, shprehu gatishmërinë e institucioneve shqiptare për ta zgjeruar më tej këtë bashkëpunim, duke rritur numrin dhe kapacitetet e skuadrave të përbashkëta hetimore, me synimin për të realizuar hetime më të thelluara dhe operacione të koordinuara kundër strukturave kriminale, pavarësisht kufijve shtetërorë. Nga ana e tyre, prefekti Raffaele Grassi dhe gjenerali Nicola Massimo Masciulli vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm me Policinë shqiptare dhe shprehën gatishmërinë për ta çuar atë në një nivel edhe më të avancuar.
Në përfundim të takimeve, palët ranë dakord për hartimin e një strategjie të re bashkëpunimi, e cila synon rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar dhe rrjeteve kriminale që shtrijnë aktivitetin e tyre përtej kufijve shtetërorë. Ky bashkëpunim konsiderohet i rëndësishëm për rritjen e sigurisë në të dyja vendet dhe për goditjen më efikase të organizatave kriminale që shfrytëzojnë hapësirat ndërkombëtare për zhvillimin e aktiviteteve të tyre të paligjshme, transmeton rtsh.










