Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, në margjinat e takimit të Komunitetit Politik Evropian (EPC), ku në fokus të bisedës kanë qenë marrëdhëniet dypalëshe dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka bërë të ditur se me homologen daneze ka zhvilluar një bisedë përmbajtësore, gjatë së cilës janë trajtuar çështje me rëndësi për të dyja vendet, veçanërisht bashkëpunimi në fushën e drejtësisë, ekonomisë dhe tregtisë.
“Në margjina të European Political Community (EPC) zhvillova një bisedë përmbajtësore me kryeministren e Mbretërisë së Danimarkës, Mette Frederiksen”, ka shkruar Kurti.
Ai ka theksuar se gjatë takimit ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që Danimarka i ka dhënë Kosovës, duke vënë në pah rëndësinë e përkrahjes daneze në rrugën e integrimeve euroatlantike të vendit.
“Shpreha mirënjohjen për qëndrimin e vazhdueshëm mbështetës të Danimarkës ndaj Kosovës dhe theksova rëndësinë e avancimit të Republikës sonë në procesin e integrimeve euroatlantike”, ka deklaruar Kurti.
Takimi vlerësohet si një mundësi për të riafirmuar raportet miqësore ndërmjet Kosovës dhe Danimarkës, si dhe për të diskutuar hapësira të reja të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët, transmeton rtk.










