
Nga: Abela Sanxhaku
Milano, 12 nëntor 2026 – Si sot, për të 23-tën të dielën më 08 nëntor 2026 në “Piazza XXV Aprile” diaspora shqiptare në Milano është mbledhur për të dhënë kontributin e vetë në shesh dhe për të përfaqësuar kauzën e vendit tonë në një shtet si Italia ku, ndryshe nga vendi ynë, e drejta për të protestuar ende ekziston. Sepse aktualisht në Shqipëri, ditë pas dite shfaqen pamje të tmerrshme që shtrengojnë
akoma më fortë grykën e lirisë së fjalës. Së fundmi, Kryeministri Edi Rama u shfaq në media dhe lajmëroi se kushdo të dilte në shesh për
të protestuar do të gjobitej me një shumë prej 5 milion lekësh, afro 5000 euro. Ky vendim është pikërisht një nga të shumtët shembuj të dhunës joproporcjonale që u është aplikuar protestuesve: duke filluar nga dhuna fizike dhe më pas, dhuna psikologjike. Edi Rama, një autokrat që shtroi tryezën e dialogut përpara kryeministrisë por në anën tjetër urdhëron që kushdo të shprehë pakënaqesinë duke zbritur ne shesh, duke ushtruar lirinë e fjalës, të sulmohet gjersa të mos i ngelë më asgjë: as dinjiteti i përdhosur pas rrahjes së ashpër e policisë, sytë e ballit në rrezik prej plumbave të gomës dhe të manovruar nga policë të paaftë, heqja nga puna nëqoftëse gjen guximin të shprehesh mbështetjen ndaj protestës dhe gjithashtu një gjobë prej 5 milion lekësh pasi je gjendur pranë saj.
Kjo protestë ende e papërfunduar, ka çjerrë maskën, ka ndërprerë fasadën, vallëzimin shkatërrues së oligarkëve mbi tokën shqiptare deri në pikën ku njerëzit nuk e adhurojnë më pushtetin, nuk e duan më dhe për herë të parë po u dalin në krahë njerëzve të thjeshtë, i “nullatenenti” siç thuhet në Italisht; një fenomen i paparë në një Shqipëri, ku ardhja e kapitalizmit liberal pas një komunizmi të egër dhe antirevizjonist vendosi shqiptarin kundër shqiptarit, duke rezultuar në një garë performative ku shfaqja më e kushtueshme dhe më e tepërt e pasurisë fiton vlerësimin e shoqerisë përreth.

Dhe pse shpesh ndodhet në hije për shkak të trazirave dhe lumit të informacioneve që vërshojnë nga klima aktuale në Shqipëri duhet kujtuar se diaspora ka ofruar një kontribut të madh në sensibilizim të “revolucionit”. Sot dhe që në fillim të protestës, shqiptarët u bashkuan: nuk ka më etje për të shtypur tjetrin në një garë ku vetëm njëri mbizotëron, por ka ambicje për të qenë mirë kolektivisht. Nuk ka më monitorim të jetës së tjetrit, për t’i përçmuar arritjet dhe është shndërruar në një monitorim të tjetrit në rast se ndodhet në rrezik, pasi ka ngritur zërin për të bezdisur oligarkët. Kanë reshtur krahasimet dhe konkurenca dhe ka lindur BASHKËPUNIMI për një Shqipëri më të mirë. Nuk dëshirohet më largimi nga vendi për të gjetur të mirën gjetkë, por qëndresa në ATDHE si rezistencë ndaj sistemit të kalbur, i cili nuk gjen më vlerë tek banoret origjinarë të tokës shqiptare dhe dëshiron t’i shporrë ata në favor të globalizimit dhe të kapitalizmit të shfrenuar, duke e shndërruar vendin në nje park lojërash për “elitën”.

Shqiptarët e diasporës e njohin vlerën e zërit të tyre në një shtet pjesëmarrës të Bashkimit Evropian dhe do të vazhdojnë t’a ngrenë zërin kundrejt çdo padrejtësie. Këtë, e kanë dëshmuar nëpërmjet protestave konstante, të organizuara çdo të djelë pavarësisht motit dhe gjithashtu përmes pyetjeve të sikletshme dhe sfiduese në konferencat e organizuara për tërhequr investitorët e huaj. Kështu ndodhi këtë të martë 10 nëntor në Hotelin Melia të Milanos në promovimin e Baks Bay (a.k.a Blue Borgo); projekt në vijim në Rrjoll ku pjesë e tokave mbi të cilat do të ngrihet u sekuestruan banorëve të zonës dhe mbi të cilin së fundmi SPAK detyroi prokurën të hapë një investigim. Dhe pse tashmë ndërhyrjet e dëmshme në zonat e mbrojtura dhe sekuestrimi i paligjshëm i tokave të trashëguara brez pas brezi nga banorët e zonave janë të njohura nga i gjithë publiku shqiptar, përfaqësuesit e projektit treguan një arrogancë në promovimin e tij në zemër të Milanos. Njëri prej përfaqësuesve, italian i Kalabrisë, nisi të fliste për Shqipërinë si t’a kishte vështruar dhe përjetuar prej një flluske: në fjalimin e tij Shqipëria paraqitej si një shtet në rritje që me sigurinë më të plotë do t’i bashkohej së shpejti BE-së (duke harruar detajin se Shqipëria ende nuk ka plotësuar as 4 nga 29 kapitujt e hapur), duke nxitur kështu investitorët italianë të investojnë pasi, duke cituar fjalët e tij, “ka zero taksa për të paguar në Shqipëri”. I gjithë ky entuziazëm vazhdoi deri në momentin ku një aktiviste e grupit u afrua për të shpjegime mbi hetimin e nisur nga SPAK dhe mbi arsyen e shfaqjes së Shqipërisë tek të huajt jashtë kontekstit të saj aktual. Menjëherë kalabrezi, duke përdorur aftësitë e tij në debat, përgjithësoi protestën shqiptare duke deklaruar se “protestat po ndodhin kudo në botë” dhe me guxim u shpreh se shqiptarët duhet të mernin shembull nga protestat paqësore për të mos bërë, siç tha vetë, “guerrilla” me shtetin. Përgjigja u përmbyll duke siguruar se vetë Kryeministri i Shqiperisë kishte dhënë “firmën” për kësilloj projekti, duke harruar se po shprehej për një Kryeministër për të cilin në fakt e gjithë
Shqipëria po bën thirrje që të dorëhiqet
Ky gjest simbolik, tregoi se shqiptaret janë të bashkuar kudo të ndodhen dhe në të gjithë kauzat që i vyejnë etnisë së tyre. Ky bashkim dhe besim i ri, i themeluar prej lotëve të derdhura nga mallëngjimi i grumbullimeve në shesh, ashtu si dhe shoqëritë e krijuara për shkakun e protestës, pra, këto mrekullitë e vogla të shoqërisë që ndodhin çdo ditë, po u japin shpresë botës së tërë, jo vetëm diasporës dhe kombit. E gjithë bota po merr shembull dhe e di tashmë se ATDHEU YNË NUK ËSHTË NË SHITJE!
(Fjala e lirë)










