Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se në New York është takuar me kongresistin amerikan Joe Wilson, me të cilin ka diskutuar për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA. Sipas Kurtit, në takim u diskutua për sigurinë dhe mbrojtjen, investimet, sundimin e ligjit, synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe bashkëpunimin e FSK-së me Gardën Kombëtare të Iowa-s.
Postimi i plotë:
Në New York, gjatë Javës së Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, u takova me kongresistin amerikan Joe Wilson, bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së dhe anëtar i Komisioneve për Punë të Jashtme dhe Forcat e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve. Shtetet e Bashkuara janë aleati ynë më i rëndësishëm dhe partneriteti ynë mbetet themelor për sigurinë, zhvillimin dhe perspektivën euroatlantike të Republikës sonë.
Diskutuam për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, me fokus në siguri dhe mbrojtje, investime dhe sundim të ligjit. Biseduam për synimin tonë për anëtarësim në NATO, për vazhdimin dhe avancimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara dhe për partneritetin e FSK-së me Gardën Kombëtare të Iowa-s, që nga viti 2011. Nga konsumuese, Kosova është shndërruar në kontribuuese në sigurinë ndërkombëtare. Folëm gjithashtu për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, rëndësinë e ruajtjes së orientimit euroatlantik të rajonit dhe për pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Me kongresistin Wilson, i cili është njëherësh aktiv në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, diskutuam edhe për aspiratën e Kosovës që të avancojë drejt pjesëmarrjes së plotë në OSBE.
Vëmendje të veçantë i kushtuam shqiptarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës nënpërfaqësimit të tyre në institucionet publike, polici, gjyqësor e shëndetësi, pasivizimit të adresave, pengesave ndaj arsimit në gjuhën shqipe dhe mosnjohjes së diplomave të fituara në Kosovë. Duke qenë i shoqëruar edhe nga Deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, kërkova që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të mbrohen në Komisionin e Helsinkit dhe shkelja e tyre të trajtohet në komunikimet me Beogradin. E falënderova kongresistin Wilson për mbështetjen e tij ndaj Kosovës dhe për angazhimin në çështjet e sigurisë, demokracisë dhe të drejtave të njeriut në rajon, si dhe e ftova që ta vizitojë përsëri Republikën e Kosovës, së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan, transmeton Bsot.










