BallinaEKSKLUZIVEDr. Hekuran Bytyçi, suksesi i mërgatës që u takua në Lugano nga...

Dr. Hekuran Bytyçi, suksesi i mërgatës që u takua në Lugano nga shefi i Konsullatës së Kosovës në Cyrih

-

Screenshot

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Nga Cyrihu në Lugano, Berisha takon suksesin e mërgatës në Ticino

Shefi i Misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, gjatë vizitës në Zvicrën italianofolëse, krahas takimeve me miq zviceranë, i ka kushtuar vëmendje edhe komunitetit shqiptar dhe figurave të suksesshme të mërgatës.

Angazhimet diplomatike dhe aktivitetet e përfaqësuesve të Kosovës në Zvicër po shtrihen edhe përtej qendrave kryesore ku jeton komuniteti kosovar. Një prej tyre është edhe vizita e fundit e shefit të Misionit të Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, në pjesën italianofolëse të Zvicrës. Gjatë qëndrimit në Ticino, Berisha, së bashku me bashkëpunëtorët e tij, zhvilloi disa takime të rëndësishme me miq zviceranë, duke e shfrytëzuar vizitën edhe për të takuar pjesëtarë të mërgatës shqiptare që me punën dhe suksesin e tyre profesional kanë krijuar emër në shoqërinë zvicerane. Edhe pse rruga nga Cyrihu deri në Lugano zgjat rreth tri orë në një drejtim, udhëtimi u shfrytëzua për një agjendë të ngjeshur dhe për takime me rëndësi. Në mesin e tyre ishte edhe takimi me mjekun nga Kosova, Dr. Hekuran Bytyçi, i cili prej vitesh ndërton karrierën e tij profesionale në Zvicër.

Dr. Hekuran Bytyçi, një histori suksesi në mjekësi

Në kuadër të rubrikës “Sukseset e Mërgatës”, z. Vigan Berisha ka veçuar takimin me Dr. Hekuran Bytyçin, specialist të mjekësisë interne dhe kardiologjisë, i cili aktualisht është pjesë e ekipit profesional të Istituto Cardiocentro Ticino në Lugano. Dr. Bytyçi përfaqëson një shembull të rrugëtimit profesional të një mërgimtari nga Kosova, i cili përmes studimeve, punës dhe angazhimit shkencor ka arritur të ndërtojë një karrierë të rëndësishme në sistemin shëndetësor zviceran. Në vitin 2026, ai ka përfunduar doktoratën në Faculty of Biomedical Sciences – Università della Svizzera italiana (USI), duke marrë titullin Dr. med. Krahas angazhimit akademik, Bytyçi ushtron edhe funksionin e mjekut Capoclinica në kardiologji, në një institucion të njohur shëndetësor në Ticino. Angazhimi i tij nuk kufizohet vetëm në punën klinike. Dr. Bytyçi është aktiv edhe në kërkimin shkencor dhe në publikime ndërkombëtare në fushën e kardiologjisë, përfshirë studimet që lidhen me sëmundjet e valvulave të zemrës.

Mërgata si urë mes Kosovës dhe Zvicrës

Takimi në Lugano është një tjetër dëshmi se aktivitetet e përfaqësuesve të Kosovës në Zvicër nuk kufizohen vetëm në marrëdhëniet institucionale me autoritetet dhe miqtë zviceranë. Një pjesë e rëndësishme e këtyre kontakteve mbetet edhe lidhja me mërgatën, e cila ndër vite ka dhënë kontribut në fusha të ndryshme të jetës profesionale dhe shoqërore. Rasti i Dr. Hekuran Bytyçit është një shembull i kësaj pranie. Nga studimet e mjekësisë, te doktorata, puna klinike dhe kërkimi shkencor, rrugëtimi i tij tregon se profesionistët me origjinë nga Kosova po zënë hapësirë edhe në institucione të rëndësishme zvicerane. Për komunitetin shqiptar në Zvicër, këto histori janë më shumë se një sukses individual. Ato janë dëshmi e kontributit të gjeneratave të mërgatës dhe e rolit që profesionistët shqiptarë po luajnë në shoqërinë ku jetojnë dhe veprojnë. Nga Cyrihu në Lugano, me një rrugëtim prej disa orësh, agjenda e z. Vigan Berisha dëshmon edhe një herë rëndësinë e kontaktit të drejtpërdrejtë me mërgatën dhe të njohjes së figurave që me punën e tyre krijojnë ura të reja mes Kosovës dhe Zvicrës. Urime Dr. Hekuran Bytyçit për sukseset e arritura dhe suksese të mëtejshme në karrierën profesionale dhe shkencore dhe shumë respekte për punën që po e bënë, z.Berisha.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Ish-ambasadori amerikan Christopher Hill komenton vendimin e Hagës

0
Ish-ambasadori amerikan Christopher Hill ka komentuar vendimin e Gjykatës Speciale në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së, si dhe reagimet në Kosovë për kërkesat...