POSTIMET E FUNDIT

Kurti: Anëtarësimi në BE është e ardhmja e Kosovës

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim me drejtoreshën për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, gjatë të cilit u diskutua për rrugën evropiane të Kosovës, reformat institucionale dhe perspektivën e integrimit në Bashkimin Evropian. Pas takimit, Kurti theksoi se Kosova ka shënuar përparim të dukshëm në fusha kyçe që lidhen me standardet evropiane. Ai vlerësoi se vendi është lider në rajon në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave politike dhe lirive civile, si dhe në indeksin e zgjedhjeve demokratike dhe demokracive liberale. Sipas tij, Kosova vazhdon të jetë plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian, ndërsa ka avancuar edhe në zbatimin e reformave të kërkuara në procesin e integrimit. Kurti nënvizoi gjithashtu se ekonomia e vendit ka shënuar rritje të qëndrueshme dhe se, për herë të parë pas 15 vjetësh, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar e kanë larguar Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të ndikuara nga konfliktet. Duke folur për aspiratat evropiane të Kosovës, Kurti ritheksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet objektiv strategjik dhe e ardhmja e vendit. Ai theksoi se mbështetja e fuqishme e qytetarëve për integrimin evropian duhet të gjejë një përgjigje konkrete nga institucionet e BE-së.

“Statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave për anëtarësim do të përbënin fillimin e një etape të re, e cila do të forconte më tej demokracinë, shtetin e së drejtës dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës,” u shpreh Kurti.

Takimi me Valentina Superti vjen në një periudhë kur Kosova synon të intensifikojë angazhimin e saj në procesin e integrimit evropian, duke kërkuar mbështetje më të madhe nga Bashkimi Evropian për avancimin e statusit të saj në rrugën drejt anëtarësimit, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB