ZÜRICH, ZVICËR – Të nderuar bashkëkombës, lexues dhe bashkëpunëtorë, kudo që ndodheni! Prej dy ditësh, sigurisht që keni vërejtur disa ndryshime në portalin tonë dhe tuajin. Këto ndryshime janë pjesë e një procesi të rëndësishëm rifreskimi, përmirësimi dhe riorganizimi, me qëllim që platforma jonë mediale të jetë edhe më funksionale, më e qasshme dhe më pranë kërkesave të lexuesve tanë. Një ndër ndryshimet e rëndësishme që po përgatitet është edhe bartja e portalit në adresën e re HALF24.CH, një shkurtesë më e lehtë për t’u mbajtur mend, për t’u shkruar dhe për t’u qasur nga lexuesit tanë, kudo që ndodhen. Ky ndryshim është pjesë e vizionit tonë për ta bërë platformën më praktike dhe më moderne, duke ruajtur identitetin, misionin dhe vlerat që e kanë karakterizuar HelveticALForum.ch.
Aktualisht jemi duke punuar në disa përditësime teknike dhe përmbajtësore, të cilat synojnë ta bëjnë platformën tonë më të lehtë për përdorim dhe më të pasur me informacione, lajme, analiza, intervista dhe shkrime të ndryshme nga jeta e mërgatës shqiptare dhe më gjerë. Duam të jemi të sinqertë me ju: ajo që po shihni aktualisht nuk është ende versioni përfundimtar që synojmë. Puna vazhdon dhe besojmë se shumë shpejt portali ynë do të rikthehet në një formë edhe më të mirë, ashtu siç e dëshirojmë ne dhe ashtu siç e meritoni ju, lexuesit tanë.
Njëkohësisht, dëshirojmë të theksojmë se për ekipin tonë klikimet, shifrat dhe gara për të tërhequr vëmendjen me çdo kusht nuk janë prioriteti kryesor.
Ne besojmë se gazetaria dhe puna mediale kanë një mision shumë më të rëndësishëm sesa numrat: informimin e drejtë, ruajtjen e identitetit, promovimin e vlerave dhe shërbimin ndaj lexuesit. Puna jonë mbështetet kryesisht në vullnetarizëm dhe në përkushtimin e njerëzve që besojnë në këtë mision. Nuk synojmë t’i servojmë publikut gjithçka vetëm për të siguruar klikime, por të sjellim përmbajtje që ka vlerë, kuptim dhe rëndësi për komunitetin tonë, veçanërisht për mërgatën shqiptare.
Për këtë arsye, dyert tona mbeten të hapura për bashkëpunim.
Presim gazetarë, publicistë, intelektualë, profesionistë, krijues, shoqata, institucione dhe afaristë shpirtbardhë që dëshirojnë të kontribuojnë në këtë rrugëtim të përbashkët. Çdo kontribut serioz, ide e mirë dhe bashkëpunim në shërbim të lexuesit është i mirëpritur. HelveticALForum, i cili së shpejti do të vazhdojë rrugëtimin edhe përmes adresës HALF24.CH, nuk është vetëm një portal informativ, por një hapësirë e përbashkët komunikimi, informimi dhe promovimi të vlerave shqiptare në Zvicër, në Evropë dhe kudo ku jetojnë e veprojnë bashkëkombësit tanë. Ju falënderojmë për besimin, durimin dhe mirëkuptimin tuaj. Mbështetja e lexuesve dhe bashkëpunëtorëve tanë mbetet motivimi ynë për të vazhduar këtë rrugëtim.
Me respekt,
QENDRA MEDIALE HELVETIC AL FORUM
HelveticALForum.ch – së shpejti HALF24.CH
FUQIA E FJALËS SË LIRË!










