Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar sot shpalljen e disa ligjeve të miratuara më parë në Kuvend, mes tyre edhe ligjin “Për dhënie amnistie”, i cili parashikon përfitime për një numër të konsiderueshëm të dënuarish. Sipas këtij ligji, 466 persona përfitojnë lirim të menjëhershëm nga burgu, mes tyre 11 janë gra dhe një i mitur, ndërsa rreth 869 persona, ku përfshihen tetë gra dhe tetë të mitur përfitojnë ulje dënimi.
Ligji përcakton kritere të qarta për përfituesit: të gjithë burrat e dënuar me deri në tre vite burg ose që u kanë mbetur më pak se tre vite për të vuajtur, lirohen menjëherë. Po ashtu, të gjitha gratë e dënuara deri në katër vite burg ose me më pak se katër vite të mbetura dënimi, përfitojnë gjithashtu lirim të menjëhershëm.
Në kategoritë e veçanta përfshihen edhe të moshuarit, ku burrat 60 vjeç e sipër dhe gratë 50 vjeç e sipër lirohen menjëherë, pavarësisht kohës së mbetur të dënimit, sipas kushteve të përcaktuara në ligj. Gjithashtu, ligji parashikon përfitim edhe për të miturit, duke përcaktuar se të gjithë personat që në momentin e kryerjes së veprës penale kanë qenë nën moshën 18 vjeç, lirohen menjëherë.
Megjithatë, në amnisti nuk përfshihen personat e dënuar për korrupsion, krim të organizuar apo çështje që janë në kompetencë të SPAK dhe GJKKO, të cilët përjashtohen shprehimisht nga përfitimet e këtij ligji.
Gjithashtu, kreu i shtetit dekretoi edhe ligjin nr. 59/2026, “Për sektorin e energjisë elektrike”, një akt që lidhet me funksionimin dhe rregullimin e këtij sektori strategjik në vend.
Në të njëjtën ditë, Presidenti Begaj ka firmosur edhe ligjin nr. 60/2026, “Për informacionin elektronik të transportit të mallrave”, i cili synon rregullimin e shkëmbimit dhe administrimit të të dhënave elektronike në transportin e mallrave, transmeton rtsh.




