Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) do të mbajë të shtunën tërheqjen e shortit për përcaktimin e renditjes së subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat do të zhvillohen më 7 qershor 2026.
Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili bëri të ditur se procesi i caktimit të numrave rendorë për subjektet politike do të mbahet më 16 maj.
Një ditë më parë, KQZ-ja zhvilloi mbledhjen e radhës, ku certifikoi pjesëmarrjen në zgjedhje të katër prej pesë subjekteve të reja politike që kishin aplikuar gjatë periudhës 2–10 maj 2026. Subjektet e certifikuara përfshijnë tri koalicione dhe një kandidat të pavarur.
Koalicionet e certifikuara janë Lëvizja Vetëvendosje, Koalicija Vakat dhe Ashkalitë e Bashkuar, ndërsa kandidat i pavarur është Esmir Kasi.
Ndërkohë, KQZ refuzoi certifikimin e dy subjekteve politike, Složno Pobeđujemo dhe SDA – Stranka Demokratske Akcije, pasi nuk arritën të plotësojnë kriterin ligjor prej 1000 nënshkrimeve të nevojshme për certifikim.
Pas vendimeve të fundit të KQZ-së, në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit do të marrin pjesë gjithsej 21 subjekte politike, përfshirë 3 koalicione, 17 parti politike dhe 1 kandidat të pavarur.
Ndër partitë politike pjesëmarrëse janë Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, PSD dhe një sërë subjektesh të komuniteteve joshumicë.
Procesi i tërheqjes së shortit konsiderohet një hap i rëndësishëm në përgatitjet për zgjedhjet parlamentare, pasi përcakton renditjen zyrtare të subjekteve politike në fletëvotim, transmeton rtk.




