Me ftesë të Kryeministrit të Republikës së Kroacisë, Andrej Plenković, përfaqësues të Republikës së Kosovës morën pjesë në Konferencën Vjetore të Ambasadorëve, Konsujve të Përgjithshëm, Konsujve dhe Atasheve Ushtarakë të Republikës së Kroacisë.
Në këtë takim tradicional, i cili mbledh përfaqësuesit diplomatikë dhe ushtarakë kroatë të akredituar në vende të ndryshme të botës, mori pjesë edhe Dr. Martin Berishaj, Ambasador i Republikës së Kosovës në Republikën e Kroacisë.
Gjatë adresimit të tij, Kryeministri Plenković vuri në pah forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kroacisë gjatë dekadës së fundit, duke prezantuar njëkohësisht prioritetet e politikës së jashtme të vendit në kushtet e një mjedisi ndërkombëtar gjithnjë e më kompleks.
Në fokus të diskutimeve ishin siguria energjetike, forcimi i kapaciteteve mbrojtëse, mbështetja për Ukrainën, ruajtja dhe fuqizimi i marrëdhënieve transatlantike, multilateralizmi dhe mbrojtja e rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
Një rëndësi të veçantë në konferencë iu kushtua edhe procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Kjo çështje u vlerësua si thelbësore për stabilitetin, sigurinë dhe prosperitetin afatgjatë të rajonit dhe të vetë Evropës.
Pjesëmarrja e përfaqësuesve të Kosovës në këtë ngjarje shërbeu si një mundësi për shkëmbimin e pikëpamjeve dhe forcimin e kontakteve me përfaqësues të diplomacisë kroate.
Në të njëjtën kohë, takimi ishte një mundësi për të riafirmuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë, të cilat mbështeten në miqësi, partneritet dhe interesa të përbashkëta euroatlantike.
Pjesëmarrja në këtë konferencë vjen në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, me theks të veçantë në forcimin e lidhjeve diplomatike dhe në mbështetjen e perspektivës evropiane të Ballkanit Perëndimor, njofton Ambasada e Kosovës në Kroaci, përcjell helveticALforum.ch.










