BallinaEKSKLUZIVENuk bëhet dasmë pa flamurin tonë kombëtar

Nuk bëhet dasmë pa flamurin tonë kombëtar

-

Screenshot

Nga Dashnim HEBIBI

Gjatë pushimeve të kësaj vere, rrugët e atdheut tonë morën një pamje që nuk mund të kalonte pa u vënë re. Kudo, nëpër rrugë e nëpër qytete, flamuri ynë kombëtar valëvitej mbi vetura, duke i dhënë një ngjyrë të veçantë jetës së përditshme, por mbi të gjitha dasmave shqiptare. Në ditët e dasmave, sidomos kur niseshin krushqit, rrugët shpesh mbusheshin me kolona veturash të stolisura me flamurin kuqezi. Ishte një pamje që sillte emocion, krenari dhe një ndjenjë të fortë përkatësie. Flamuri kombëtar nuk ishte thjesht një zbukurim mbi veturë; ai ishte një simbol që tregonte se tradita, identiteti dhe dashuria për kombin vazhdojnë të jetojnë fuqishëm. Edhe pas 18 vjetësh nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, flamuri kombëtar shqiptar mbetet në zemrën e shqiptarëve, pavarësisht se nga cila trevë vijnë. Ai bashkon shqiptarët në festa, në gëzime familjare dhe në momentet më të rëndësishme të jetës. Një rol të veçantë në këtë gjallëri kombëtare ka edhe mërgata shqiptare. Ajo, sa herë kthehet në atdhe, sjell me vete jo vetëm mallin dhe dashurinë për vendlindjen, por edhe traditat e zakonet që e bëjnë një dasmë shqiptare të veçantë. Në shumë raste, pikërisht veturat e mërgimtarëve janë ndër ato që bien më së shumti në sy, të stolisura me flamurin kuqezi.

Ajo që të bie në sy është se kjo dashuri për flamurin kombëtar nuk i përket vetëm brezave të vjetër. Edhe gjeneratat e reja po e mbajnë atë afër zemrës. Në kolonat e krushqve, flamuri kuqezi shfaqet gjithnjë e më shumë si simboli i dashur i festës, i krenarisë dhe i identitetit shqiptar. Në anën tjetër, flamuri shtetëror i Kosovës shihet herë pas here edhe në veturat e krushqve, por prania e flamurit kombëtar është dukshëm më e theksuar. Kjo dëshmon se, për shumë shqiptarë, kuqeziu vazhdon të ketë një peshë të veçantë emocionale dhe historike. Dhe ndoshta është pikërisht kjo arsyeja pse sot mund të thuhet me plot gojë: nuk bëhet dasmë shqiptare pa flamurin tonë kombëtar. Ai i jep dasmës jo vetëm ngjyrë, por edhe një hijeshi të veçantë. Kur kolona e krushqve niset me flamuj kuqezi, rruga duket më festive, dasma më madhështore dhe atmosfera më shqiptare. Flamuri valëvitet mbi vetura, por mbi të gjitha valëvitet në zemrat e njerëzve. Ai mbetet një nga simbolet më të fuqishme që i lidh shqiptarët me historinë, traditën dhe identitetin e tyre, nga brezi në brez. Ku ka dasmë shqiptare, ka gëzim; ku ka krushqi shqiptare, kuqeziu i jep asaj edhe më shumë hijeshi.

Foto Adi HEBIBI

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Vendimi i Speciales, “Liria ka emër” me dy organizime: Njëri në...

0
Ditët për vendimin ndaj katërshes së ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nisur së numëruari mbrapsht, para se Gjykata Speciale ta thotë fjalën...