Kuvendi i Republikës së Kosovës është konstituuar, duke hapur rrugën për hapin e radhës – formimin e Qeverisë së Kosovës.
Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka uruar nënkryetarët e zgjedhur dhe ka falënderuar deputetët që morën pjesë në seancën konstituive dhe ushtruan përgjegjësinë e tyre institucionale përmes votës.
Haxhiu ka bërë të ditur se pozita e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ende mbetet e paplotësuar. Sipas saj, përfaqësuesit e PDK-së nuk kanë qenë të pranishëm në seancën konstituive për tri herë radhazi dhe, për pasojë, nuk e kanë ushtruar të drejtën për të propozuar kandidatin për këtë pozitë.
“Kjo pozitë i takon PDK-së dhe mbetet e rezervuar për të. Sapo PDK-ja ta propozojë kandidatin e saj, Kuvendi do të votojë për të”, ka deklaruar Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit ka theksuar nevojën që institucionet e Kosovës të funksionojnë dhe që procesi i funksionalizimit të plotë të tyre të vazhdojë pa vonesa.
Sipas saj, vendi ka nevojë për përgjegjësi, vendimmarrje dhe punë, ndërsa vullneti i qytetarëve duhet të respektohet përmes funksionalizimit të institucioneve të dala nga procesi zgjedhor. /helveticALforum.ch










