Në prag të zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen më 25 tetor në Serbi (e diel), ku do të marrin pjesë edhe bashkëkombësit tanë shqiptarë të Luginës së Preshevës, z.Ibrahim Ibrahimi një veprimtar, bamirës dhe atdhetar i njohur nga Tërnoci, i cili jeton dhe vepron në Zvicër, siç mëson helveticALforum.ch ka ndarë disa fjalë zemre përmes rrjeteve sociale. Duke respektuar lirinë e shprehjes dhe të drejtën për të përcjellë mendimin e tij, ai ka adresuar një mesazh të drejtpërdrejtë për Koalicionin e Shqiptarëve të Luginës, duke vënë në pah rëndësinë e mërgatës shqiptare në proceset politike dhe në mbështetjen e vazhdueshme për vendlindjen. Ai thekson se mërgata shqiptare nuk duhet të anashkalohet, të harrohet apo të trajtohet vetëm si një burim mbështetjeje financiare, por duhet të vlerësohet si pjesë e pandashme e kombit dhe si faktor i rëndësishëm në të ardhmen politike të Luginës së Preshevës. Për vite me radhë, mërgimtarët kanë mbajtur gjallë familjet, kanë ndihmuar ekonominë lokale dhe kanë kontribuar në ruajtjen e shpresës për një të ardhme më të mirë në vendlindje.
Në reagimin e tij, ndër të tjera, ai ka shkruar:
„Koalicioni i shqiptarëve të Luginës duket se e ka gabuar adresën e kërkimit të votave, ose ndoshta ende nuk e ka përditësuar navigacionin, që po i çon në drejtim të gabuar. Ky koalicion duhet ta kuptojë një gjë të rëndësishme: shumica e shqiptarëve të Luginës janë në mërgatë, dhe pikërisht aty duhet ta kërkojë mbështetjen e votuesve. Adresën e votës e keni te mërgata shqiptare, jo te Biku e as te presidentja. Nëse doni të fitoni besimin dhe votat e shqiptarëve, duhet të orientoheni nga ata që kanë mbajtur gjallë familjet, ekonominë dhe shpresën e vendlindjes, edhe pse jetojnë larg saj. Përditësojeni navigacionin, sepse votat nuk gjenden duke trokitur në dyert e gabuara!”
Mesazhi i tij rikthen në vëmendje një çështje me rëndësi të veçantë për shqiptarët e Luginës së Preshevës: mërgata nuk duhet të anashkalohet në asnjë proces politik që përcakton të ardhmen e vendlindjes. Ajo duhet të dëgjohet, të respektohet dhe të përfshihet në mënyrë të mirëfilltë, sepse lidhja e saj me vendlindjen nuk matet vetëm me largësinë gjeografike, por me kontributin, sakrificën dhe përkushtimin ndër vite. Në fund të fundit, mërgata shqiptare nuk është larg vendlindjes për nga zemra. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë pranë saj në ditët më të vështira, prandaj zëri dhe roli i saj meritojnë vëmendjen e duhur edhe në proceset zgjedhore. Vendlindja nuk duhet ta kujtojë mërgatën vetëm kur ka nevojë për ndihmë, por ta vlerësojë atë si një partner të rëndësishëm në ndërtimin e së ardhmes, transmeton helveticALforum.ch.










