Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet aktuale në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, si dhe për mundësitë e thellimit të mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve. Gjatë takimit, vëmendje e veçantë i është kushtuar avancimit të politikave dhe forcimit të kapaciteteve të Kosovës për t’iu përgjigjur sfidave të sigurisë në vitet në vijim. Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Maqedonci bëri të ditur se ambasadori britanik e ka uruar për konfirmimin e mandatit të ri qeverisës, duke riafirmuar njëkohësisht gatishmërinë e Mbretërisë së Bashkuar për të thelluar partneritetin me Kosovën në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Ministri Maqedonci e ka falënderuar ambasadorin Hargreaves për mbështetjen e vazhdueshme të Britanisë së Madhe dhe për partneritetin e qëndrueshëm ndërmjet dy vendeve.
Bashkëpunimi me Mbretërinë e Bashkuar mbetet i rëndësishëm për Kosovën në përpjekjet për zhvillimin e mëtejshëm të kapaciteteve mbrojtëse dhe forcimin e institucioneve të sigurisë, në funksion të përballjes me sfidat aktuale dhe të ardhshme, transmeton rtk.










