Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme është miratuar në lexim të dytë në Kuvendin e Kosovës me 66 vota për. Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e ka përshëndetur këtë vendim, duke theksuar se ligji do të vlejë për të gjithë, pa përjashtim.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar pas miratimit në lexim të dytë të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Procedurën e Verifikimit dhe Konfiskimit të Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili mori 66 vota për në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Përmes një reagimi publik, Gërvalla e ka cilësuar këtë zhvillim si një hap drejt funksionalizimit të Byrosë Shtetërore, duke theksuar se pasuria e pajustifikueshme nuk duhet të mbrohet nga pushteti, ndikimi apo emri i askujt.
“BYROJA SHTETËRORE po bëhet!”, ka shkruar ministrja, duke përshëndetur miratimin e projektligjit në lexim të dytë.
Ajo ka theksuar se parimi i zbatimit të ligjit duhet të jetë i njëjtë për të gjithë qytetarët, pa dallime dhe pa përjashtime, duke nënvizuar se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin në Republikën e Kosovës.
“Pasuria e pajustifikueshme nuk do të ketë më strehë te pushteti, ndikimi apo emri i askujt. Ligji duhet dhe do të vlejë për të gjithë, pa përjashtim. Sepse askush, bash askush, nuk qëndron mbi ligjin në Republikën tonë”, thuhet në reagimin e Gërvallës.
Miratimi i projektligjit shënon një zhvillim në procesin e krijimit të mekanizmit shtetëror që synon verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, në përputhje me dispozitat ligjore që do të zbatohen.
Pas miratimit në Kuvend, zbatimi praktik i kuadrit ligjor dhe respektimi i procedurave përkatëse do të jenë elemente të rëndësishme për funksionimin e këtij mekanizmi./BS










