Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) do të marrë pjesë në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese në Gaza (International Stabilization Force – ISF Gaza), pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Participimit ndërmjet përfaqësuesve të Bordit të Paqes/ISF Gaza dhe Komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari. Marrëveshja u nënshkrua gjatë vizitës zyrtare në Kosovë të komandantit të ISF Gaza, gjeneralmajor Jasper Jeffers, dhe stafit të tij. Në ceremoninë e nënshkrimit ishin të pranishëm edhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, si dhe përfaqësues të Bordit të Paqes.
Gjeneralmajori Jasper Jeffers vlerësoi vendimin dhe gatishmërinë e Kosovës për të kontribuar në këtë mision ndërkombëtar, duke theksuar rëndësinë e kontributit të FSK-së në përpjekjet për paqe, siguri dhe stabilitet.
Jeffers shprehu gjithashtu mirënjohje për udhëheqjen e Kosovës dhe përkushtimin e institucioneve të vendit në mbështetje të këtij misioni. Nga ana e tij, komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, falënderoi gjeneralmajorin Jeffers për vlerësimin dhe bashkëpunimin, duke theksuar se pjesëmarrja në misionet ndërkombëtare të sigurisë është pjesë e vizionit të Kosovës për të dhënë një kontribut konkret në promovimin e paqes dhe sigurisë në botë. Sipas Jasharit, FSK-ja synon të rrisë vazhdimisht kontributin e saj në sigurinë ndërkombëtare, me një objektiv strategjik të qartë: kalimin nga një importues i sigurisë në një eksportues të saj.
“Duke kontribuar në mënyrë aktive në ndërtimin dhe ruajtjen e paqes dhe sigurisë, së bashku me aleatët dhe partnerët ndërkombëtarë”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
Nënshkrimi i marrëveshjes, sipas njoftimit, shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e rolit të Kosovës si kontribuuese aktive në përpjekjet ndërkombëtare për paqe, siguri dhe stabilitet, transmeton BS.










