Meshë në nderim të 10-vjetorit të Shenjtërimit të Nënë Terezës!
Me rastin e 10-vjetorit të Shenjtërimit të Nënë Terezës, Shën Terezës së Kalkutës, Bashkësia Katolike Shqiptare në Belgjikë kremtoi një Meshë solemne në Kishën e Zonjës Sonë, në Laeken të Brukselit.
Meshën e nderoi me praninë e tij dhe e celebroi Nunci Apostolik në Belgjikë, Mgr. Franco Coppola, i asistuar nga Don Kastriot Idrizi, përgjegjës i kësaj Bashkësie.
Të pranishëm ishin ambasadori i Shqipërisë, Gazmend Barbullushi, së bashku me ambasadorin e Republikës së Kosovës, Agron Bajrami, si dhe zëvendësambasadori i Maqedonisë së Veriut në Misionin pranë NATO-s, z. Ismail Edibi.

Mesazhet e përcjella gjatë Meshës iu referuan jetës dhe veprës së jashtëzakonshme të Nënë Terezës, si një shembull mbarëbotëror i dashurisë njerëzore, mirësisë, përkushtimit dhe besimit në Zot. Si bijë e shquar e kombit shqiptar, Gonxhe Bojaxhiu mishëroi më së miri vlerat dhe virtytet më të çmuara të traditës sonë kombëtare.
Meshën e pasoi një takim i përzemërt, i shoqëruar nga një program artistik i përgatitur me kujdes nga Bashkësia, ku të pranishmit patën mundësinë të shijojnë ngjyrat dhe aromat e traditës shqiptare, përmes kulinarisë, muzikës dhe atmosferës së veçantë kulturore. Një moment i bukur bashkimi, që i dhuroi të pranishmëve një copëz të shpirtit dhe traditës shqiptare në Belgjikë, në nderim të Shën Terezës, një prej figurave më të mëdha që kombi shqiptar i ka dhuruar njerëzimit.
Veprimtaria u organizua me përkushtim nga Don Kastriot Idrizi dhe Bashkësia Katolike Shqiptare në Belgjikë, duke sjellë së bashku komunitetin shqiptar në një ditë të veçantë përkujtimore dhe kulturore.
Kujtojmë se, që prej vitit 2023, në Kishën e Zonjës Sonë në Laeken është vendosur edhe shtatorja e Nënë Terezës, si një shenjë e pranisë dhe kujtesës së kësaj figure të shquar në zemër të Brukselit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme – Republika e Shqipërisë Bashkësia Katolike Shqiptare në Belgjikë, transmeton helveticALforum.ch.










