Parisi shpreh gatishmërinë për të ndarë përvojën dhe ekspertizën e fituar gjatë organizimit të Lojërave Olimpike “Paris 2024”, në funksion të përgatitjeve të Kosovës për Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030”.
Në Paris është zhvilluar një takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe përfaqësuesve kryesorë të përfshirë në organizimin e Lojërave Olimpike “Paris 2024”, ku në fokus të diskutimeve ishte mundësia e bashkëpunimit dhe shkëmbimit të përvojave për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. Lajmi është bërë i ditur nga Ambasada e Francës në Kosovë, e cila ka njoftuar se takimi është mbajtur në Prefekturën e Île-de-France, ndërsa diskutimet janë përqendruar në mësimet e nxjerra nga organizimi i Lojërave Olimpike të vitit 2024 dhe ndikimin afatgjatë që ky organizim pati në Paris dhe në Francë.
Sipas ambasadës, pala franceze ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur Kosovën duke ndarë ekspertizën profesionale dhe përvojën e saj në përgatitjet për organizimin e ngjarjes së madhe sportive që do të mbahet në Prishtinë në vitin 2030.
Në këtë takim kanë marrë pjesë edhe ambasadori i Francës për Sportin, Damien Combredet-Blassel, si dhe Sophie Lorant dhe Eva Baldessin, përkatësisht presidente dhe drejtoreshë e organizatës France Sport Expertise.
Bashkëpunimi me Francën shihet si një mundësi e rëndësishme për Kosovën që të përfitojë nga përvoja e një vendi që së fundmi organizoi një nga ngjarjet më të mëdha sportive në botë.
Organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” përbën një sfidë të rëndësishme, por edhe një mundësi për zhvillimin e infrastrukturës sportive, promovimin ndërkombëtar të Kosovës dhe krijimin e një trashëgimie afatgjatë për kryeqytetin dhe vendin./BS










