Fribourg, 09 shtator 2026 – Kryetari i Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, Fehim ef. Abazi, i shoqëruar nga z. Sherif Tupani, ish-anëtar i Kryesisë së KMSHZ-së, siç mëson helveticAlforum.ch zhvilloi një takim me personalitete të Universitetit të Fribourg-ut, mes tyre Prof. Dr. Barbara Hallensleben, profesoreshë e Dogmatikës dhe Teologjisë së Ekumenizmit, dhe Prof. Dr. Guido Vergauwen, profesor emeritus dhe ish-rektor i Universitetit të Fribourg-ut. Në takim ishte i pranishëm gjithashtu z. Karl Hans Heinrich Weber, bashkëpunëtor dhe përkrahës i Komunitetit Musliman Shqiptar, i shoqëruar nga imami Azir Aziri, imam në xhaminë IKRE në Thun.
Takimi, i cili zgjati mbi dy orë e gjysmë, u zhvillua në një atmosferë jashtëzakonisht miqësore dhe konstruktive. Gjatë bisedës u trajtuan një sërë çështjesh me interes të përbashkët, me theks të veçantë në fushën e dialogut ndërfetar, komunikimit ndërmjet komuniteteve, bashkëpunimit dhe thellimit të marrëdhënieve ndërmjet traditave fetare.
Prof. Barbara Hallensleben dhe Prof. Guido Vergauwen kanë një përvojë të gjatë akademike dhe praktike në fushën e dialogut ekumenik dhe ndërfetar. Ata kanë bashkëpunuar edhe në botime që trajtojnë çështje të dialogut ndërmjet të krishterëve dhe myslimanëve.
Gjatë takimit, Kryetari i KMSHZ-së, Fehim ef. Abazi, shprehu mirënjohjen për mikpritjen e ngrohtë dhe i informoi të pranishmit për historikun, veprimtarinë dhe rolin e Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër, si dhe për kontributin që komuniteti ka dhënë dhe vazhdon të japë në jetën fetare, shoqërore dhe kulturore të shqiptarëve në Zvicër.
Vëmendje e veçantë iu kushtua mundësive për bashkëpunim të mëtejshëm në organizimin e konferencave, tryezave të rrumbullakëta, seminareve dhe simpoziumeve, me synim forcimin e dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërmjet komuniteteve fetare.
Nga ana e tyre, profesorët shprehën gatishmëri për të vazhduar dhe zgjeruar bashkëpunimin me Komunitetin Musliman Shqiptar në Zvicër. Gjithashtu, u shpreh gatishmëria që në të ardhmen të kontribuohet me praninë dhe ekspertizën e tyre në aktivitetet e KMSHZ-së, si dhe në fusha të tjera me interes të përbashkët.
Në përfundim të takimit, Prof. Guido Vergauwen shtroi një drekë për mysafirët, duke i dhënë një dimension të veçantë mikpritjes dhe atmosferës miqësore të këtij takimi.
Kryesia e Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër e vlerëson këtë takim si jashtëzakonisht të frytshëm dhe me rëndësi të veçantë për zhvillimin e dialogut ndërfetar dhe forcimin e bashkëpunimit shoqëror.
Shprehim shpresën se ky takim do të jetë një hap i rëndësishëm drejt bashkëpunimeve të reja dhe se, krahas këtyre personaliteteve të shquara, në të ardhmen bashkëpunimi do të zgjerohet edhe me personalitete të tjera akademike, fetare dhe shoqërore, transmeton helveticALforum.ch.
Me respekt dhe mirënjohje,
Kryesia e Komunitetit Musliman Shqiptar në Zvicër










