POSTIMET E FUNDIT

Fluks turistësh në Sarandë, të huajt vlerësojnë ofertat turistike dhe çmimet

Saranda  vijon të jetë një nga destinacionet më të preferuara të turistëve vendas dhe të huaj gjatë këtyre ditëve të para të sezonit veror. Edhe pse jemi ende në muajin qershor, plazhet e zonës janë mbushur me vizitorë që kanë zgjedhur të kalojnë pushimet pranë ujërave të kristalta të bregdetit jonian.

“Vendosëm të vinim në Shqipëri sepse është shumë afër Italisë dhe kishim dëgjuar shumë gjëra pozitive për të. Na ka pëlqyer jashtëzakonisht shumë natyra, veçanërisht deti i Sarandës. Jemi ndier shumë mirë gjatë gjithë qëndrimit dhe mendojmë se do të rikthehemi edhe vitin e ardhshëm, pasi ka ende shumë vende që nuk kemi arritur t’i vizitojmë”, tha një turist.

“Është hera e parë që vijmë në Shqipëri. Në Itali flitet shpesh për bregdetin shqiptar dhe për bukuritë që ofron ky vend, ndaj vendosëm ta provonim vetë këtë eksperiencë. Deri tani kemi mbetur shumë të kënaqur, jo vetëm nga deti dhe peizazhet, por edhe nga mikpritja e njerëzve. Kemi kaluar pushime të bukura dhe me siguri do ta zgjedhim sërish Shqipërinë për të kaluar disa ditë pushimi”, u shpreh një tjetër.

Ata vlerësojnë gjithashtu raportin mes cilësisë së shërbimeve dhe kostos së pushimeve. Shumë prej tyre e konsiderojnë Shqipërinë një destinacion ekonomik krahasuar me vende të tjera të rajonit.

“Sa i përket çmimeve, i kemi gjetur të arsyeshme dhe në shumë raste të ngjashme me ato në Itali. Ndoshta vite më parë ka qenë një destinacion më ekonomik, por edhe sot çmimet janë të përballueshme”, thekson turisti.

Fluksi i turistëve në këtë periudhë shihet si një sinjal pozitiv për sezonin veror, i cili pritet të sjellë një numër edhe më të madh vizitorësh në rivierën shqiptare gjatë muajve në vijim./B. Pëllumbi, transmeton rtsh.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB