POSTIMET E FUNDIT

Filantropi Lazim Destani takon në Nju Jork mikun e kahershëm të shqiptarëve, Christopher S. Hyland

Përgatiti Dashnim HEBIBI

NJU JORK – Gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, filantropi dhe biznesmeni i njohur shqiptar, Lazim Destani, ka zhvilluar një sërë takimesh me personalitete dhe veprimtarë të njohur të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Sipas informacioneve të publikuara nga helveticALForum.ch, një nga takimet më domethënëse u zhvillua në Nju Jork, ku Destani kaloi një mbrëmje miqësore me Christopher S. Hyland, këshilltar diplomatik veteran dhe mik i njohur i shqiptarëve, Vehbi Bajramin, botues i gazetës “Illyria”, ish-drejtor i seksionit shqip të Zërit të Amerikës dhe aktivist i çështjes kombëtare shqiptare, si dhe Elio Ahmetajn, aktivist dhe sipërmarrës i suksesshëm në Manhattan. Duke folur për këtë takim, Lazim Destani theksoi se me Christopher S. Hyland zhvilloi një bisedë të gjatë mbi çështjet shqiptare në Ballkan, rolin e rëndësishëm që ai luajti në mbështetje të Kosovës gjatë viteve ’90, si dhe sfidat me të cilat përballen sot Kosova dhe Shqipëria.

Hyland njihet si një bashkëpunëtor i afërt i ish-presidentit amerikan Bill Clinton dhe si një prej figurave që kontribuoi në sensibilizimin e institucioneve amerikane për çështjen e Kosovës në periudhën vendimtare të viteve ’90.

“Kosova sot është e lirë dhe e pavarur edhe falë miqve në Amerikë si z. Hyland dhe aktivistëve shqiptaro-amerikanë që e bënë të njohur çështjen shqiptare në Kongres, Senat dhe në Shtëpinë e Bardhë”, është shprehur Destani.

Me këtë rast, filantropi shqiptar ka shprehur mirënjohjen e tij për kontributin shumëvjeçar të Hylandit, duke theksuar se ai vazhdon edhe sot, pas më shumë se tri dekadash, të mbetet një mik i çmuar i shqiptarëve. Takime të tilla dëshmojnë rëndësinë e ruajtjes dhe forcimit të lidhjeve ndërmjet shqiptarëve dhe miqve të tyre në Shtetet e Bashkuara, të cilët kanë luajtur një rol të rëndësishëm në momentet kyçe të historisë së Kosovës dhe të kombit shqiptar, transmeton helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB