POSTIMET E FUNDIT

Falënderoj pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan

Nga Harry Bajraktari, SHBA

Falënderoj pjesëtarët e komunitetit shqiptaro-amerikan që morën pjesë në ceremoninë e ngushëllimeve në nder të Kongresmenit Eliot Engel, organizuar dje nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në New York dhe unë, Harry Bajraktari.

Një falënderim i veçantë për bashkëshorten e Kongresmenit Engel, zonjën Pat Engel, për vajzën Julia Engel, si dhe për mikun dhe bashkëpunëtorin e tij të afërt, John F. Calvelli, të cilët na nderuan me praninë e tyre në këtë organizim.

E falënderoj Ambasadorin Blerim Reka dhe stafin e Konsullatës që hapën dyert e shtëpisë së Kosovës në New York në nder të Kongersmenit Engel. Pjesëmarrësit ndanë me ne rrëfime të ndryshme se si Kongresmeni Engel ka lënë gjurmë në jetët e tyre. Ishte emocionuese të dëgjohesh të gjitha ato histori që dëshmojnë lidhjen e fortë të Kongresmenit Engel me shqiptarët dhe respektin që ai gëzon në komunitetin tonë në Amerikë.

Që nga viti 1989, kur Eliot Engel nisi karrierën në Kongresin Amerikan, e deri në fundin e angazhimit të tij publik, ai hapi jo vetëm dyert e zyrës së tij për shqiptarët, por edhe zemrën e tij.

Brez pas brezi do të kujtojmë kontributin e tij të jashtëzakonshëm për çështjen shqiptare dhe për Kosovën në veçanti. Historia do të ruajë kujtimet e vitit 1998, kur, në kulmin e represionit serb kundër popullit tonë, ai, së bashku me Kongresisten Sue Kelly, u nis drejt Kosovës, por u ndalua nga forcat e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviqit.

Nga kufiri me Maqedoninë, para gazetarëve, ai dha një mesazh të fuqishëm:

“Ta dini mirë: sot Millosheviqi po na ndalon të hyjmë në Kosovë. Por shumë shpejt, Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur dhe ne do të jemi ata që nuk do ta lejojmë Millosheviqin të hyjë në Kosovë.”

Dhe ashtu ndodhi.

Një vit më vonë, Kosova u çlirua. Dhe Millosheviqi nuk shkeli më kurrë në Kosovë.

Populli shqiptar do të jetë përherë mirënjohës ndaj veprës së tij. Falë angazhimit të vazhdueshëm të Kongresmenit Engel dhe miqve tanë në Washington, populli shqiptar sot jeton i lirë në tokën e tij

Zoti e bekoftë popullin amerikan.

Zoti e bekoftë popullin shqiptar.

Fotografitë janë realizuar nga Dritan Haxhia /GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB