Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka dërguar një ekip të FSK-së në Gaza për të realizuar rikonicionin e zonës ku do të operojnë trupat e FSK-së. Gjatë kësaj vizite ekipi do të bëjë vlerësimin paraprak dhe koordinimin e aktivititeteve të dislokimit për kontigjentin e FSK-së, që do të operojë në kuadër të misionit paqeruajtës të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në Gaza. Gjatë kësaj vizite, delegacioni ka zhvilluar një sërë takimesh dhe diskutimesh me autoritete nacionale për administrimin e Gazës dhe ekipet përkatëse, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC), e cila operon nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes, në përputhje me Rezolutën 2803 të OKB-së. Gjatë këtyre takimeve është diskutuar rreth procesit të integrimit të kontingjentit të FSK-së, zhvillimit të operacioneve të përbashkëta, si dhe koordinimit të mbështetjes logjistike.
FSK mbetet e përkushtuar për të kontribuar në paqe dhe stabilitet global, në bashkëpunim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke forcuar partneritetet strategjike, promovuar sigurinë kolektive, si dhe duke vepruar në përputhje me standardet dhe vlerat ndërkombëtare për ruajtjen e paqes./BS




