
Nga Gazmend Dashi
Pfaffenhofen, Gjermani – Me pjesëmarrjen e mbi 200 qytetarëve, përfaqësuesve të institucioneve, komuniteteve fetare dhe shoqatave kulturore, u shënua 10-vjetori i vendosjes së shtatores së Nënë Terezës në sheshin pranë kishës famullitare të Pfaffenhofenit.Aktiviteti u organizua nga Shoqata Kulturore Shqiptaro-Gjermane “Sali Çekaj”, e cila në qershor të vitit 2016 vendosi shtatoren e shenjtores shqiptare si simbol të humanizmit, solidaritetit dhe dashurisë ndaj njerëzve.
Në fjalën e tij përshëndetëse, kryetari i shoqatës, Argent Ferizi, theksoi se kjo ngjarje nuk ishte vetëm një përvjetor i një monumenti, por një festë e vlerave që Nënë Tereza përfaqëson: njerëzoren, respektin dhe ndihmën ndaj atyre që kanë nevojë.
“Pfaffenhofeni është bërë shtëpia e dytë për shumë shqiptarë e kosovarë. Këtu integrimi është kthyer në bashkëjetesë të vërtetë dhe në respekt të ndërsjellë mes kulturave,” u shpreh Ferizi.

Të pranishmit i përshëndetën gjithashtu Konsullja e Përgjithshme e Shqipërisë në Mynih, Gentiana Mburimi, përfaqësues të institucioneve lokale, si dhe drejtues të komuniteteve fetare. Në fjalët e tyre u vlerësua roli i figurës së Nënë Terezës dhe kontributi i komunitetit shqiptar në jetën shoqërore dhe kulturore të qytetit.
Programi artistik përfshiu interpretime muzikore, recitime poetike dhe valle tradicionale nga fëmijët dhe të rinjtë e shoqatës, si dhe performanca të grupeve mysafire. Aktiviteti u moderua në gjuhën shqipe dhe gjermane, duke pasqyruar frymën ndërkulturore të manifestimit.
Një moment i veçantë ishte ceremonia ndërfetare e lutjes, ku morën pjesë përfaqësues të komuniteteve katolike, ortodokse dhe islame. Mesazhi i përbashkët i tyre ishte paqja, mirëkuptimi dhe respekti për dinjitetin njerëzor.

Në shenjë mirënjohjeje, organizatorët ndanë certifikata nderi për personalitete dhe institucione që kanë mbështetur ndër vite aktivitetet e shoqatës dhe bashkëpunimin ndërkulturor në Pfaffenhofen.
Festimi u mbyll me një bufe tradicionale shqiptare, duke i dhënë ngjarjes një atmosferë të ngrohtë miqësie dhe bashkimi.

Përvjetori i dhjetë i shtatores së Nënë Terezës shërbeu jo vetëm si kujtesë për trashëgiminë e saj shpirtërore dhe humanitare, por edhe si dëshmi e integrimit të suksesshëm dhe kontributit të komunitetit shqiptar në Gjermani.




