Kryeministri Edi Rama dekoroi violinistin, përkthyesin dhe intelektualin shqiptar Tedi Papavrami me “Yllin e Oficerit të Urdhrit Suprem të Shqiponjës”, në emër të Presidentit të Republikës. Gjatë ceremonisë, Rama e cilësoi Papavramin si “një yll plot shkëlqim në yjësinë e Shqipërisë europiane”.
Në fjalën e tij, kryeministri vlerësoi jo vetëm talentin e jashtëzakonshëm artistik të Papavramit, por edhe modestinë, angazhimin intelektual dhe kontributin e tij shumëdimensional në kulturën shqiptare dhe europiane. Rama theksoi se ky dekorim nuk është një vlerësim formal, por një nderim i merituar për figurën dhe veprën e tij.
“Duhet thënë se në përpjesëtim të drejtë me modestinë e tij dhe përtej talentit të tij të jashtëzakonshëm, Tedi është edhe me fat. Po shpjegohem duke e nisur nga fundi, jam veçanërisht i lumtur për këtë dekorim me urdhrin më të lartë të Republikës edhe pse është dhënë qysh në dhjetorin e shkuar ndodh të materializohet sot dhe kjo ceremoni i bashkohet shtyllës si një rastësi vargjeve të ngjarjeve kulturore.
Në këtë vend janë dhënë për rreth 30 vite dekorata e tituj për dasma, për morte, dhe shumë pa arsye ndërsa të jesh i sigurt se kjo e jotja nuk është ajo histori. Ti e di çdo të thotë të bëhesh pjesë e një urdhri dhe të vishesh me kalorësinë e republikës dhe e ke merituar por ishte Shqipëria deri pak kohë më parë nuk e kishte këtë urdhër kalorsie të cilin e rilindëm si një urdhër suprem dhe ishte dëshira dhe detyrimi që ti të renditeshe tek të parët e kalorësit të këtij urdhri për virtuozitetit tënd por dhe për larminë pjellore të angazhimit tënd intelektual dhe shumë dinjitoz. Kur 3 urdhrat e rinj u aktivizuan me rastin e 100 vjetorit të themelimit të urdhrit të Skënderbeut, ishe i përfshirë pas një procesi shumë serioz dhe nuk mund të vlerësoheshe ndryshe se me Urdhrin e Lartë”, u shpreh Rama.
Rama theksoi se ky dekorim nuk është një vlerësim formal, por një nderim i merituar për figurën dhe veprën e tij.
“Ky urdhër është për Tedin përkthyes, Tedin krijues, aktor, kërkues, për Tedin shqiptarin e Evropës dhe të botës. Për Tedin do të flisja gjatë por po e mbyll duke thënë se e konsideroj veten me fat që të njoh dhe që të kam njohur qysh të vogël dhe të kam parë të rritesh. Ylli që ti merr sot është një yll që ndriçon edhe për ata që historia i lë në prapaskenë. Më lejo që në emër të presidentit të republikës t’ju dekoroj “Oficer Suprem të Shqiponjës”, tha ai.
Ceremonia u zhvillua në kuadër të aktiviteteve kulturore dhe u konsiderua nga Rama si një moment simbolik për të nderuar një prej personaliteteve më të spikatura të artit dhe kulturës shqiptare, transmeton rtsh.




