Fenomeni i dualitetit juridik nuk përbën thjesht një kategori konceptuale, por një realitet operacional që sfidon vetë themelet e shtetit të së drejtës dhe të bashkëjetesës ndëretnike. Nëse ky hendek ndërmjet normës dhe praktikës vazhdon të thellohet, pasojat nuk do të kufizohen vetëm në erozionin e besimit institucional, por do të shtrihen në fragmentimin e kohezionit shoqëror dhe në dobësimin e orientimit strategjik të vendit drejt standardeve euroatlantike.
Nga Prof.dr Skender Asani
Në konfigurimin bashkëkohor të rendit kushtetues dhe të marrëdhënieve ndëretnike në Maqedonia e Veriut, problematika e barazisë substanciale po shfaqet gjithnjë e më tepër si një çështje që tejkalon dimensionin formal të garantimit juridik dhe hyn në sferën e funksionimit real institucional. Në këtë prizëm, koncepti i “dualitetit juridik” shërben si një kornizë analitike qendrore për të kuptuar hendekun ndërmjet normës së shpallur dhe praktikës së zbatuar. Zhvillimet e fundit, të reflektuara përmes protestave të studentëve shqiptarë për përdorimin e gjuhës shqipe në provimin e jurisprudencës, nuk paraqiten si episode të izoluara, por si manifestime të një krize më të thellë strukturore të barazisë. Ato artikulojnë një tension të vazhdueshëm ndërmjet legjitimitetit formal të sistemit dhe legjitimitetit të tij funksional, duke e vendosur në qendër të debatit publik pyetjen themelore mbi koherencën e shtetit me parimet që ai vetë i proklamon. Në këtë kuptim, tema e dualitetit juridik nuk duhet trajtuar si një devijim sporadik, por si një simptomë e një transformimi më të gjerë të rendit institucional, i cili kërkon analizë të thelluar dhe reflektim kritik.
Në një lexim të integruar analitik, bëhet e qartë se problematika në fjalë nuk kufizohet në dimensionin e të drejtave gjuhësore, por shfaqet si një diskrepancë sistemike ndërmjet normës juridike dhe realitetit funksional të institucioneve, duke prodhuar një formë të konsoliduar të “dualitetit juridik”. Ky dualitet nënkupton bashkëjetesën e dy realiteteve paralele: një realitet formal, ku të drejtat garantohen në dokumente dhe në arkitekturën kushtetuese, dhe një realitet funksional, ku ato kufizohen përmes praktikave administrative, interpretimit selektiv dhe mungesës së mekanizmave efektivë të zbatimit. Një konfigurim i tillë nuk është thjesht një anomali e përkohshme, por rrezikon të institucionalizohet si paradigmë funksionimi, duke e zhvendosur shtetin nga një model konsensual dhe inkluziv drejt një strukture selektive dhe hierarkike të menaxhimit të diversitetit.
Në këtë kontekst, protestat studentore marrin një dimension simbolik dhe strukturor njëkohësisht. Ato përfaqësojnë një akt rezistence ndaj një logjike të centralizimit juridik dhe kulturor, e cila bie ndesh me parimet e pluralizmit gjuhësor dhe të barazisë substanciale. Përtej kësaj, ato artikulojnë një kontradiktë të thellë midis obligimeve që burojnë nga kornizat ndëretnike dhe zbatimit të tyre real, duke e ekspozuar hendekun midis legjitimitetit formal dhe legjitimitetit funksional të institucioneve. Në planin diskursiv, këto protesta inaugurojnë një formë të re të artikulimit politik, e cila tejkalon retorikën tradicionale të elitave dhe prodhon një diskurs më autentik, më koherent dhe më të pranueshëm në nivel shoqëror dhe ndërkombëtar.
Në planin e analizës politike, zhvillimet aktuale sugjerojnë një riformatim të heshtur të balancave ndëretnike. Ky proces, i artikuluar përmes politikave dhe praktikave institucionale, mund të interpretohet si një tendencë për ripozicionimin e shqiptarëve nga një element konstituiv i rendit shtetëror në një kategori më të menaxhueshme politikisht. Një qasje e tillë, edhe kur shoqërohet me një diskurs formal legjitimues, prodhon efekte të dukshme në strukturën e përfaqësimit dhe në shpërndarjen reale të pushtetit. Në këtë kuptim, devijimi nga parimet e barazisë substanciale nuk ndodh në mënyrë deklarative, por përmes një procesi gradual dhe të kamufluar institucional.
Ky proces përforcohet nga një krizë e thellë e përfaqësimit politik shqiptar. Subjektet politike shqiptare, të vendosura shpesh në funksion të ruajtjes së pjesëmarrjes në pushtet, kanë zhvilluar një kulturë kompromisi që tejkalon pragun e racionalitetit politik dhe prodhon atë që mund të përkufizohet si “institucionalizim i konformizmit politik”. Në këtë konfigurim, përfaqësimi reduktohet në një funksion formal, ndërsa substanca e tij mbrojtja dhe avancimi i të drejtave kolektive mbetet e dobësuar. Kjo ka krijuar një vakuum përfaqësimi, i cili është mbushur gradualisht nga aktorë të rinj shoqërorë, siç janë studentët, të cilët kanë marrë rolin e artikulimit të padrejtësive dhe të mobilizimit kolektiv.
Si pasojë e këtyre dinamikave, procesi i zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit rrezikon të reduktohet në një instrument formal legjitimimi, duke humbur funksionin e tij transformues. Në vend që të shërbejë si një mekanizëm i gjallë i barazisë substanciale, ajo po përballet me rrezikun e shndërrimit në një referencë simbolike, e cila përdoret më shumë për konsum ndërkombëtar sesa për ndryshim real të marrëdhënieve ndëretnike. Ky fenomen mund të përshkruhet si një “degradim funksional i marrëveshjeve politike”, ku përmbajtja normative mbetet e pandryshuar, por kapaciteti i saj transformues dobësohet ndjeshëm.
Një nga fushat ku ky regres manifestohet më qartë është ajo e kulturës dhe trashëgimisë kulturore. Në një shtet multietnik, diversiteti kulturor duhet të përbëjë një burim stabiliteti dhe zhvillimi, por mungesa e investimeve strukturore dhe e institucioneve përkatëse për komunitetin shqiptar krijon një boshllëk të theksuar institucional. Kjo nuk është vetëm një çështje e politikave kulturore, por një indikator i një problemi më të thellë të përfaqësimit dhe i një tendence drejt kontrollit të narrativave historike. Në këtë kuptim, kemi të bëjmë me një formë të “hegjemoni epistemologjike”, ku prodhimi i dijes dhe interpretimi i historisë i nënshtrohen filtrave selektivë që kufizojnë pluralizmin shkencor dhe kulturor.
Ndërhyrjet në institucionet kërkimore dhe kulturore, të shoqëruara me politizimin dhe instrumentalizimin e tyre, përforcojnë këtë prirje. Kontrolli mbi prodhimin e dijes dhe kapitalin simbolik nuk është thjesht një çështje administrative, por një strategji afatgjatë që synon riformatimin e hapësirës intelektuale. Pasojat e këtij procesi janë të shumanshme: varfërimi i diskursit akademik, dobësimi i kapaciteteve intelektuale dhe tkurrja e pluralizmit interpretativ.
Në ndërthurjen e dimensionit ekonomik me atë institucional, po artikulohet me një intensitet gjithnjë e më të theksuar një realitet që i afrohet konceptit të “dualitetit juridik”, ku barazia formale para ligjit vihet përballë një praktike të perceptuar si selektive dhe e dirigjuar. Në këtë sfond, rasti i iniciativës për hapjen e një banke me kapital shqiptaro-amerikan merr një peshë të veçantë simbolike dhe analitike: ajo që në thelb përfaqësonte një projekt të rëndësishëm për diversifikimin ekonomik dhe përforcimin e besimit në investimet ndërkombëtare, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024 u shndërrua në objekt të një fushate intensive diskursive dhe mediatike, e cila, përmes instrumentalizimit të mekanizmave të komunikimit publik, artikuloi narrativa mbi pretendime për parregullsi në lidhje me hapësirën ku parashihej të ngrihej.
Në kontrast të dukshëm, iniciativave të tjera për hapjen e institucioneve bankare me kapital të huaj të perceptuara nga segmente të opinionit si të lidhura me provenienca nga hapësira serbe iu krijuan kushte të favorshme për institucionalizim dhe operim, duke forcuar bindjen se nuk kemi të bëjmë me një treg të hapur dhe konkurrencë të barabartë, por me një mekanizëm filtrimi selektiv të kapitalit. Në këtë mënyrë, përtej rasteve konkrete, konsolidohet një perceptim i thellë se sistemi ekonomik dhe institucional nuk funksionon mbi një standard unik rregullash, por mbi një logjikë të dyfishtë aplikimi, ku ligji shfaqet si fleksibël në varësi të subjektit që e sfidon apo e kërkon atë. Kështu, “dualiteti juridik” nuk mbetet vetëm një kategori analitike, por shndërrohet në një realitet retorikisht të prekshëm, që sfidon koherencën e rendit institucional dhe vë në pikëpyetje vetë besueshmërinë e shtetit në raport me parimet e barazisë dhe transparencës.
Në kuadër të një analize të thelluar mbi konceptin e “dualitetit juridik”, dimensioni administrativ shfaqet si një arenë kyçe ku ky fenomen jo vetëm artikulohet, por edhe institucionalizohet përmes praktikave të përditshme burokratike. Raportimet e përsëritura për degradimin e punonjësve shqiptarë, të ndërthurura me indikacione për një segregacion funksional dhe administrativ, nuk mund të trajtohen si devijime sporadike, por si simptoma të një logjike më të gjerë sistemike që synon rikonfigurimin e balancave etnike në favor të një hierarkie të re institucionale. Kjo qasje, e cila operon në mënyrë të heshtur dhe shpesh të kamufluar nën justifikime teknike apo procedurale, prodhon një realitet dual ku ekziston një ndarje e qartë midis normës juridike të shpallur dhe praktikës faktike të zbatuar. Në këtë kontekst, dualiteti juridik nuk është thjesht një konstrukt teorik, por një mekanizëm funksional që gjeneron dhe riprodhon pabarazi strukturore, duke e zhvendosur diskriminimin nga sfera e hapur politike në një nivel më të sofistikuar administrativ.
Më tej, nëse këto dinamika arrijnë të konsolidohen dhe të marrin formë të qëndrueshme institucionale, ato rrezikojnë të krijojnë një model të ri të marginalizimit, ku përjashtimi nuk artikulohet më në mënyrë eksplicite, por operon përmes filtrave të padukshëm të avancimit profesional, shpërndarjes së kompetencave dhe qasjes në burime. Një zhvillim i tillë bie në kundërshtim të drejtpërdrejtë me standardet evropiane të barazisë dhe përfaqësimit, të cilat kërkojnë jo vetëm neutralitet formal, por edhe barazi substanciale në trajtim dhe mundësi. Për më tepër, ky hendek ndërmjet kornizës ligjore deklarative dhe zbatimit real minon besueshmërinë institucionale dhe prodhon efekte zinxhirore në kohezionin shoqëror, duke rritur ndjeshmërinë ndaj percepsioneve të padrejtësisë dhe përjashtimit. Në këtë prizëm, dualiteti juridik duhet kuptuar si një sfidë jo vetëm ligjore, por edhe politike dhe normative, që kërkon një reflektim të thellë dhe një ndërhyrje të strukturuar për të rikthyer koherencën ndërmjet parimeve të shpallura dhe praktikave të zbatuara.
Megjithatë, përkundër kësaj tabloje problematike, protestat studentore kanë prodhuar një efekt korrigjues të rëndësishëm. Ato kanë arritur të artikulojnë në mënyrë të qartë një sërë padrejtësish dhe të tërheqin vëmendjen e faktorëve ndërkombëtarë, duke e vendosur çështjen në një kornizë më të gjerë të standardeve demokratike dhe evropiane. Në këtë mënyrë, ato funksionojnë si një mekanizëm presioni që kufizon hapësirat për devijime të mëtejshme dhe detyron institucionet të reflektojnë mbi praktikat e tyre.
Në një perspektivë më të gjerë, këto zhvillime sinjalizojnë lindjen e një vetëdijeje të re politike dhe shoqërore, e cila mbart potencialin për rikonfigurimin e klasës politike shqiptare. Kjo vetëdije, e ndërtuar mbi përvojën e drejtpërdrejtë të padrejtësive dhe mbi kërkesën për barazi substanciale, mund të shndërrohet në një faktor transformues të sistemit politik, duke prodhuar aktorë të rinj më autonomë dhe më të orientuar drejt përfaqësimit autentik.
Në këtë pikë kthese kritike, Maqedonia e Veriut përballet me një zgjedhje strategjike me implikime afatgjata: rikthimin e barazisë substanciale si themel të rendit politik dhe institucional, ose konsolidimin e një modeli selektiv që rrezikon të thellojë ndarjet ndëretnike dhe të dobësojë kohezionin shtetëror. Në këtë kuadër, vazhdimi i trendit të degradimit institucional dhe i dualitetit juridik nuk mund të trajtohet më si një çështje e brendshme, por duhet të konsiderohet si një rrezik sistemik me implikime për stabilitetin rajonal dhe për perspektivën euroatlantike të vendit.
Fenomeni i dualitetit juridik nuk përbën thjesht një kategori konceptuale, por një realitet operacional që sfidon vetë themelet e shtetit të së drejtës dhe të bashkëjetesës ndëretnike. Nëse ky hendek ndërmjet normës dhe praktikës vazhdon të thellohet, pasojat nuk do të kufizohen vetëm në erozionin e besimit institucional, por do të shtrihen në fragmentimin e kohezionit shoqëror dhe në dobësimin e orientimit strategjik të vendit drejt standardeve euroatlantike. Për rrjedhojë, imperativi për rikthimin e barazisë substanciale nuk është më një çështje retorike, por një domosdoshmëri politike dhe historike.
Mesazhi që del nga kjo trajektore është i qartë: ose institucionet do të arrijnë të rikthejnë koherencën ndërmjet parimeve të shpallura dhe praktikave të zbatuara, duke garantuar një rend realisht inkluziv dhe të drejtë, ose do të përballen me rritjen e presionit shoqëror dhe ndërkombëtar që kërkon rikonfigurim të thellë të sistemit. Në këtë udhëkryq, përgjegjësia nuk është vetëm institucionale, por edhe kolektive për të mos lejuar që barazia të mbetet një premtim formal, por të shndërrohet në një realitet të prekshëm dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët. /GD




