
Nga PhD. Dashnim HEBIBI, Zürich
Çështja e Luginës së Preshevës nuk mund të trajtohet më si temë e kufizuar në deklarata diplomatike, iniciativa simbolike apo manovra politike të kujdesshme. Ajo është një realitet i hapur kombëtar, me pasoja të drejtpërdrejta në identitetin, të drejtat dhe mbijetesën e shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.
Duhet thënë qartë dhe pa asnjë ekuivok: ato treva janë dhe mbeten shqiptare në kuptimin historik, demografik dhe identitar. Prania e shqiptarëve aty nuk është produkt rrethanash politike të përkohshme, por rezultat i një vazhdimësie të gjatë autoktone që nuk mund të fshihet apo relativizohet. Në këtë kontekst, sakrifica e shqiptarëve të atyre zonave është pjesë e pandashme e kësaj historie. 28 dëshmorët e rënë në uniformat e Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc (UÇPMB) janë dëshmi e qartë se kjo nuk është vetëm çështje administrative, por një çështje e lidhur me të drejtën për dinjitet, rezistencë dhe vetëvendosje. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, është takuar me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriç, në kuadër të Forumit të Diplomacisë në Antalia 2026. Sipas Hoxhës, biseda u fokusua në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe përmes dialogut dhe bashkëpunimit, si dhe në bashkëpunimin rajonal. Ai bëri të ditur se është diskutuar edhe hapja e një Konsullate të Përgjithshme të Shqipërisë në Bujanoc, si pjesë e përmirësimit të marrëdhënieve dhe lidhjeve ekonomike e tregtare. Në takim u përmend gjithashtu rëndësia e dialogut Kosovë–Serbi të lehtësuar nga BE-ja, si rruga kryesore për normalizimin e marrëdhënieve në rajon.
Pikërisht për këtë arsye, çdo tentativë për ta futur Luginën në logjikën e “balancave diplomatike” apo pazareve rajonale është e papranueshme. Shqiptarët e Luginës nuk mund të trajtohen si instrument shkëmbimi ndërmjet shteteve. Çdo qasje e tillë cenon drejtpërdrejt interesin kombëtar dhe hap rrugë për keqpërdorime politike. Në këtë debat po përmendet edhe ideja e hapjes së konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc. Një prani institucionale e tillë mund të ketë logjikë praktike për shërbime ndaj qytetarëve dhe për forcim të lidhjeve shtetërore. Megjithatë, ajo nuk duhet të kthehet në zëvendësim të mungesës së veprimit real për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në terren, e aq më pak në instrument simbolik që mbulon një realitet të përkeqësuar. Në anën tjetër, për Medvegjën, duke pasur parasysh situatën më të rënduar demografike dhe institucionale, një përfaqësi konsullore do të ishte më e arsyeshme për arsye të njohura dhe të dokumentuara. Por edhe kjo nuk duhet të shihet si pjesë e asnjë logjike pazaresh apo kompromisesh politike që cenojnë interesin e shqiptarëve. Asnjë konsullatë, në asnjë qytet, nuk ka kuptim nëse paralelisht pranohet humbja graduale e terrenit në aspektin demografik, institucional dhe politik. Prania diplomatike nuk mund të jetë fasadë për mungesën e strategjisë së mbrojtjes së komunitetit shqiptar në Luginë. Është e domosdoshme të kuptohet se çdo hap në këtë drejtim duhet të jetë i menduar, i koordinuar dhe i mbrojtur nga çdo interpretim i gabuar politik. Sepse ekziston gjithmonë rreziku që çështje të tilla të përdoren në prapaskena, ku interesat shtetërore nuk përputhen domosdoshmërisht me interesin e shqiptarëve në terren.
Prandaj, kujdesi është detyrim. Nuk duhet lejuar që Lugina e Preshevës të shndërrohet në hapësirë kompromisi apo në mjet për balanca politike rajonale. Çdo devijim nga ky parim rrezikon pasoja afatgjata dhe të pakthyeshme. Në këtë kuadër, roli i Shqipërisë dhe Kosovës duhet të jetë i koordinuar, aktiv dhe i bazuar në ekspertizë reale, jo në improvizim apo retorikë politike. Kjo nuk është çështje e ditës, por përgjegjësi afatgjatë kombëtare. Në fund, parimi duhet të mbetet i pandryshuar: shqiptarët e Luginës së Preshevës nuk janë objekt pazari, por pjesë e pandashme e një realiteti historik që kërkon mbrojtje, dinjitet dhe strategji serioze, jo kompromise të heshtura.
Konsullata si mjet mbrojtjeje, jo si dekor diplomatik
Në këtë kuadër, çështja e konsullatës së Shqipërisë në Luginën e Preshevës duhet të trajtohet me qartësi të plotë strategjike dhe jo si element simbolik për konsum politik. Ajo nuk është as gjest protokollar dhe as kompensim deklarativ, por instrument i domosdoshëm institucional për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shqiptarëve në terren. Megjithatë, vendosja e një përfaqësie të tillë nuk mund dhe nuk duhet të reduktohet në logjikë të ngushtë politike apo në kalkulime të momentit. Debati për vendndodhjen – qoftë në Bujanoc apo në Medvegjë – duhet të udhëhiqet nga nevoja reale e komunitetit shqiptar dhe nga gjendja faktike në terren, jo nga ekuilibra të përkohshëm diplomatikë.
Në këtë kuptim, Medvegja paraqet argumente të forta për një vëmendje të veçantë institucionale, për shkak të tkurrjes së vazhdueshme të pranisë shqiptare dhe nevojës për një mbështetje më të drejtpërdrejtë. Por kjo nuk duhet të shndërrohet në objekt pazari apo në pjesë të ndonjë marrëveshjeje të heshtur që nuk i shërben interesit të shqiptarëve.
Nga ana tjetër, çdo vendim për konsullatë në Bujanoc duhet të shoqërohet me një strategji të qartë për forcimin e pranisë shtetërore shqiptare në të gjithë Luginën, jo me një qasje të fragmentuar që lë hapësirë për keqinterpretim apo dobësim të mëtejshëm të pozicionit shqiptar në terren. Prandaj, konsullata, cilado qoftë vendndodhja e saj, duhet të jetë pjesë e një politike të mirëkoordinuar kombëtare mes Shqipërisë dhe Kosovës, e bazuar në ekspertizë, transparencë dhe objektiva afatgjatë. Ajo duhet të shërbejë si mburojë institucionale për qytetarët shqiptarë, jo si zëvendësim i mungesës së veprimit më të gjerë politik dhe diplomatik.Në fund, kriteri i vetëm i pranueshëm është ky: çdo përfaqësi shqiptare në Luginë ka kuptim vetëm nëse forcon realisht praninë, sigurinë dhe të drejtat e shqiptarëve autoktonë. Përndryshe, ajo rrezikon të mbetet një strukturë formale pa ndikim real në një realitet që kërkon veprim, jo simbolikë.
Ajo që po mendohet dhe del nga analiza duhet trajtuar me shumë kujdes, sepse në të kundërt rrezikojmë të jemi të humbur në proceset që po zhvillohen. Politikbërja duhet të jetë syçelë dhe të mos i besohet verbërisht asnjë procesi apo premtimi. Sa i përket konsullatës, ajo duhet të vendoset në Medvegjë dhe jo të shndërrohet në pjesë të ndonjë pazari që do të dëmtonte interesin e shqiptarëve në përgjithësi. Kujdesi në politikëbërjen në ato treva është i domosdoshëm. Ajo duhet të jetë e informuar mirë për prapavijat e Serbisë, ndërsa politika shqiptare e Tiranës zyrtare nuk duhet të shkelë mbi historinë dhe realitetin e shqiptarëve atje.
/ Autori është President i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me qendër në Zvicër




