Në datat 27 – 28 prill 1968, në Prishtinë u mbajt Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, një tubim shkencor mbarëkombëtar që hodhi themelet për njëhsimin e gjuhës letrare shqipe. Në takim u mblodhën studiues, gjuhëtarë dhe intelektualë nga të gjitha trevat shqiptare me një qëllim të përbashkët: krijimin e një gjuhe të përbashkët standarde, si bazë e arsimit, kulturës dhe identitetit kombëtar.
Kjo konsultë shënoi një hap të rëndësishëm drejt standardizimit të shqipes, proces që do të kurorëzohej më vonë me Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972. Në vitet ’60, shqipja përdorej në forma të ndryshme letrare, kryesisht në dy variante kryesore dialektore: gegërishtja dhe toskërishtja. Kjo situatë krijonte vështirësi në komunikimin kulturor, arsimor dhe institucional ndër shqiptarët. Konsulta e Prishtinës erdhi si një përpjekje e përbashkët për të kapërcyer këto dallime dhe për të vendosur baza të përbashkëta për një gjuhë standarde.
Gjatë kësaj konsulte u theksua nevoja për një gjuhë letrare të njësuar për të gjithë shqiptarët, detyrimi për përdorimin më të gjerë të normave të përbashkëta në arsim dhe botime, si dhe afrimi i praktikave gjuhësore në të gjitha trevat shqiptare.
Konsulta e Prishtinës kishte një rëndësi të veçantë, pasi për herë të parë në kushtet e kohës, u arrit një bashkëpunim i gjerë mbarëkombëtar në fushën e gjuhësisë. Ajo shërbeu si një urë lidhëse mes studiuesve nga Shqipëria dhe trevat shqiptare jashtë saj.
Sot, duke kujtuar Konsultën Gjuhësore të Prishtinës, nderojmë vizionin dhe përkushtimin e studiuesve që punuan për një gjuhë të përbashkët, si themel i identitetit dhe unitetit kombëtar. Trashëgimia e tyre mbetet një gur themeli në zhvillimin e kulturës dhe arsimit shqiptar, transmeton Akademia e Shkencave të Shqipërisë, përcjell helveticALForum.ch.




