Dhjetë vjet pas shenjtërimit të Nënë Terezës, dokumente të rralla dhe dorëshkrime origjinale janë ekspozuar për herë të parë për publikun nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave. Në fokus është vizita e saj historike në Tiranë, në gusht të vitit 1989.
Fotografi, artikuj të shtypit të kohës, revista kulturore dhe dokumente zyrtare janë disa prej materialeve që rikthejnë në vëmendje vizitën e Nënë Terezës në Shqipëri. Ekspozita sjell për publikun dokumente origjinale që dëshmojnë një prej momenteve më të rëndësishme të marrëdhënies së shenjtores me vendin e origjinës.
Mes materialeve të ekspozuara është edhe procesverbali i takimit të Nënë Terezës me Ramiz Alinë, në atë kohë kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, si dhe një letër e vitit 1979 drejtuar popullit shqiptar.
“Hapja e ekspozitës me fotografi dhe dokumente origjinale nga jeta dhe veprimtaria e Nënë Terezës është gjithmonë një ngjarje me vlerë. Kur kjo ndodh në një përvjetor si shenjtërimi i saj, aktiviteti merr peshë dhe vlerë të veçantë,” u shpreh Skënder Durmishi.
Ambasadori i Kosovës në Shqipëri e cilësoi ekspozitën një nismë me vlerë, që sjell në vëmendje jo vetëm figurën e Nënë Terezës, por edhe mesazhin e saj humanitar dhe paqësor. Vëmendje të veçantë morën dorëshkrimet e shenjtores. Për Komitetin Shtetëror të Kulteve, këto materiale janë më shumë se dokumente arkivore, pasi dëshmojnë lidhjen e saj me origjinën dhe identitetin shqiptar.
Në përfundim të aktivitetit u prezantua edhe një instalacion që pasqyronte rrugëtimin e Nënë Terezës, nga Shkupi, qyteti ku lindi, deri në Kalkutë, ku mbylli sytë më 5 shtator 1997.
Përmes dokumenteve të ruajtura në arkiva, kjo ekspozitë rikthen jo vetëm një vizitë historike, por edhe gjurmët e një figure që e shndërroi humanizmin në një mesazh universal paqeje dhe solidariteti, transmeton rtsh.










